Gjëegjëzë për Vitin e Ri

Postuar në 03 Janar, 2013 06:44

Është bërë si serenatat korçare, që nuk ndryshojnë kurrë, vetëm se variojnë mbi të njëjtën melodi. Si gjashtëdhjetë vjet përpara. Si tridhjetë vjet. Si dikur, ashtu edhe sot, ligjëron të njëjtin avaz për suksese, ku është ndër të parët, në mos i pari. Edhe në pastë ndonjë të metë, faji nuk është i tij, por i të tjerëve. Dikur ishte armiku i jashtëm ai që e pengonte. Sot është i brendshmi. Nuk i mungon kurrë euforia kineze e formatit të revolucionit kulturor, e cila do ta ketë ndikuar veçanërisht, deri sa u anëtarësua si komunist, atëherë, kur e kishin marrë vesh të gjithë se kjo ideologji kishte marrë fund. U hodh me të njëjtin entuziazëm në krahët e një partie tjetër, sapo ndjeu erën se komunistët nuk donin ta mbanin më pushtetin, dhe i mori vetë frenat në dhëmbë. Nuk e njeh turpin dhe është rasti i fundit që vërteton fjalën e urtë se “Burri ka kohë me u korit”, duke e bërë turpin mënyrë jetese. Nuk ka lidhje me letrat, shifrat apo statistikat, kur thotë se është më i miri, megjithëse e zeza mbi të bardhë thotë të kundërtën. Nuk skuqet kur e zënë me presh në dorë duke vjedhur. E ka bërë mënyrë jetese. U ka bërë shqiptarëve atë që nuk ua kishte bërë tifoja, zgjebja, sifilizi, malaria apo gjakmarrja në shekuj. Kur erdhi në pushtet për herë të parë, nënshtetasit e tij ishin tre milionë e treqind mijë. Kur iku nga pushteti, kishte futur tre mijë në gropë dhe sa shtoheshin në vit, i kishte përzënë rrugëve të botës. Kur erdhi për herë të dytë në qeveri, shqiptarët e tij ishin tre milionë e ca. Asnjëri nuk e kuptonte parajsën që po ndërtonte dhe sot pas shtatë vjetësh që komandon, shqiptarët janë dyqind mijë më pak, diku te dy milionë e tetëqind mijëshi. Pra, nja gjashtëqind mijë të tjerë që ikin nga parajsa që ndërton.
U ka bërë të krishterëve në shtatë vjet, atë që nuk ua u bëri dot turku në pesëqind. Kur nisi të numëronte popullin që kishte nën hyqëm, mendoi t’iu bënte qejfin të gjithëve. Për ta sosur punën ashtu siç di t’i sosë vetëm ai: Ibret.
Ortodoksët i katandisi në 6 % e pak. Kishin qënë 20 % dikur. I firasi më keq se shpata e jeniçerëve. Katolikët i la aq sa i gjeti, 10 %. Por në vlerë absolute, nja njëqind e pesëdhjetë mijëve u ka dhënë rrugët e botës. Të mos kujtojnë ithtarët e Jezu Krishtit, se atë që nuk ua bëri turku, nuk ka lindur burrë t’ua bëjë. Çfarë të bën i yti, nuk ta bën as hasmi, ndaj të presin dhe pak dhe do shohin akoma.
Bektashinjtë, nga 20 % i katandisi në 2 %. Mahmuti i II dhe Horatio Kitchener do ia kishte zili. Myslimanët i çoi në 57%, por i ka lënë të pastër dhe të gatshëm për republikën e tij. Mendon se ata e duan më shumë nga të gjithë. Se do t’i ketë shtetas të bindur të çifligut të tij. Të atij çifligu-republikë, që ëndërronte dikur Esat Pasha, por nuk mundi se ia prenë ëndrrën në mes. Ndërsa ky mendon se është më i zoti se të gjithë ata që kanë ikur të përzënë a të gjakosur nga pushteti. Ca i ka lindur ky mendim se shqiptarët janë paksa indiferentë. E më shumë, mendon se vezën që bën vetë, nuk ka pasur gjel ta bëjë. Ndaj bindet dita-ditës më shumë se do ia mbërrijë ditës kur do të lerë bijtë e tij në pushtet, e nga varri të dëgjojë këngët që do të këndohen në festivale për të. Por mbase këngët nuk do t’i dëgjojë, ama sherrin e ka lënë mbi tokë edhe për pesëdhjetë vjet. Gegë e toskë, me toskërisht e gegërisht; myslimanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj, me Krisht e Muhamet në gojë; do zihen, pleksen e shthuren nëse do të merren me trashëgiminë e tij. Ka lënë edhe për grekët e serbët litarë, që të kapen e fusin hundët për të nakatosur shqiptarët e sotëm dhe të nesërm. Në njëzet e dy vjet e vetmja gjë që i punoi më mirë ishte goja. Me atë gojë që shante të tjerët dhe lëvdonte veten. Kush ka pak erz, do ishte turpëruar që të lëshonte fjalët që nxjerr ai nga goja. Nëse nuk do të ishte turpëruar nga gruaja e tij, do t’i vinte zor nga vajza e djali. E nëse nuk do pyeste as për këta, do të skuqej kur të mendonte se pamjet e tij kur shkumbëzon kundër grave në parlament apo jashtë tij, do t’i shikonin mbesat. Por nuk i dridhet syri. Mendon se me paratë që po iu lë, do i falen të gjitha. Mbase. Kemi treguar që e kemi memorien e shkurtër. Por një gjë është e sigurt, se mbesat e nipërit e tij do të turpërohen nga gjyshi i tyre, që nuk u la aspak nga ai kompleks sjelljeje, virtyti, zemërbardhësie, që quhet “zotnillëk”. Dhe mbase nuk do të kishin dashur aq shumë para, por ca më pak prej tyre dhe fare pak zotnillëk. Ky nuk blihet me lekë, sado që të ofrosh.
Po kush është ky burrë që hëngri dhjetëra rreshta e duhen prapë të tjerë për të thënë gjithë bëmat e tij? Ky që po flasim është një tip që vështirë t’i gjesh shokë, të cilit të gjithë ia dinë emrin, pasi të ngjashëm nuk ka. E për të mos e lënë gjëegjëzën pa përgjigje, ai është kryeministri ynë, Sali Berisha. Të cilin me pak fat e shumë punë, për të mirën e tyre, është viti i fundit që shqiptarët e kanë mbi kokë.
 

Botuar në Gazeta Shqiptare

Comments

Submitted by Andrea Heba (not verified) on

<p>Amin</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.