BE, Nikoliç dhe dialogu me Kosovën

Postuar në 06 Shkurt, 2013 03:25

Të mërkurën mbrëma në Bruksel do të zhvillohet takimi i kryetares së Kosovës, Atifete Jahjaga, me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç. Edhe ky takim do të zhvillohet me „lehtësimin“ e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Tash e sa javë ky takim ka zgjuar kureshtjen e qarqeve diplomatike në Bruksel dhe më gjerë. Pa dyshim se do të ketë një simbolikë historike edhe ky takim. Është hera e parë që takohen presidentët e dy „palëve“, siç thotë BE-ja apo dy shteteve, siç duam të besojmë ne, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Presidentët e Kosovës janë takuar me presidentë të Serbisë edhe më parë, por para 17 shkurtit të vitit 2008. Prej atëherë presidentët e Serbisë kanë refuzuar jo vetëm të takohen me presidentë të Kosovës, por edhe të marrin pjesë në takime ndërkombëtare, në të cilat ishte ftuar presidenti i Kosovës. Për nga përmbajtja, takimi i së mërkurës në Bruksel nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat konkret. Ai takim është i menduar më shumë si ndihmë për dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, në pritje të kompromiseve të cilat duhet t’i bëjnë në javët që vijnë në dialog, e që kryesisht ka të bëjë me pranimin e Beogradit për të ndalur veprimin e institucioneve shtetërore të Serbisë në territorin e Kosovës  dhe pranimin e Kosovës për t’i dhënë një status të veçantë veriut (apo sido që të pagëzohet me ndonjë emër tjetër marrëveshja).

Në këtë drejtim takimi Jahjaga – Nikoliç është shumë më i rëndësishëm për kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç. Edhe pse në Kosovë mendohet se mes tij dhe Nikoliçit nuk ka dallime sa i përket Kosovës, diplomatët në Bruksel mendojnë se kryeministri serb është shumë më pragmatik sesa presidenti Nikoliç. Kjo ishte parë edhe kur u miratua platforma e Serbisë dhe rezoluta për Kosovën, e cila nuk shihet si diçka relevante as nga Kosova e as nga bashkësia ndërkombëtare, por ka peshë në konstelacionet e brendshme politike në Serbi. E në Serbi Tomislav Nikoliç ka një peshë shumë më të madhe politike sesa Ivica Daçiç. Kjo për shkak se ish-bashkëpunëtori me i ngushtë i vojvodës çetnik Voislav Sheshel, çetniku Tomislav Nikoliç, është  zgjedhur si president me votat e shumicës së qytetarëve të Serbisë dhe nën udhëheqjen e tij edhe partia e tij i ka fituar zgjedhjet parlamentare. Ivica Daçiç është bërë kryeministër vetëm falë „tradhtisë“ që ia kishte bërë partnerit të mëparshëm Boris Tadiq dhe kishte pranuar që si partner i vogël të hynte në koalicion me partinë e Nikoliçit. Ky kombinacion e ka sjellë në pushtet në Serbi dyshen Nikoliç-Daçiç, pikërisht ish-dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sheshelit dhe Milosheviçit në kohën e krimeve më të mëdha në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

Në Bruksel nuk u pëlqen kur ua përkujtojmë të kaluarën e Nikoliçit dhe Daçiçit. Thonë se „duhet shikuar përpara“ dhe se dy këta kanë ndryshuar shumë dhe tash janë „politikanë të përkushtuar pro evropianë“. Por në platformën e tyre për Kosovën u pa se nuk kanë ndryshuar shumë dhe se ende mendojnë se Kosova është pjesë e Serbisë. Sa i përket rolit të tyre në luftë as njëri e as tjetri nuk kanë shprehur ndonjë pendim. Madje, rolin e tyre nga e kaluara shpesh e përmendin si dëshmi të patriotizmit të tyre kur akuzohen për kompromise me Kosovën. „Unë kam luftuar kundër Thaçit kur ka qenë nevoja, dhe po të mos kishte ndërhyrë NATO-ja unë do të kisha fituar“, pati thënë pas takimit të tij të parë me Thaçin, Ivica Daçiç.

Në Bruksel kanë marrë një qëndrim për të mos komentuar deklaratat e „palëve“ dhe për t’iu lënë atyre mundësi që për përdorim të brendshëm të thonë çfarë të donë.  Kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Presidentja Jahjaga do të mund të thoshte se takimi ka qenë hap drejt normalizimit të raporteve mes „dy shteteve sovrane dhe të pavarura“, ndërsa Nikoliçi të mohonte se kjo në çfarëdo mënyre është hap drejt njohjes se Kosova është shtet. E BE-ja do të vazhdojë ta quajë takim të „dy palëve“. Në fakt, sipas një deklarate të shkurtër të lëshuar nga Zyra e baroneshës Ashton, për ata të cilët nuk e dinë se kush janë Jahjaga dhe Nikoliç është vështirë të dihet se kush takohet të mërkurën në Bruksel. Në atë njoftim përmenden dy presidentët dhe emrat e tyre, por jo edhe se presidentë të kujt janë. Kjo është vazhdimësi e zbatimit të politikës së BE-së për të mos lënë përshtypje se Kosova është duke u trajtuar si shtet, prandaj edhe përmenden vetëm „dy palët“.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka shumë nevojë për ndonjë ndihmë të presidentes Jahjaga. Thaçi është në një pozitë jashtëzakonisht të favorshme, me mbështetje të madhe jo vetëm të partisë së tij PDK, por edhe të LDK-së dhe të AAK-së. Me përjashtim të „Vetëvendosjes“ askush nuk është kundër dialogut të tij me Ivica Daçiçin dhe në mesin e mbështetësve të mëdhenj të këtij dialogu është edhe presidentja Jahjaga. Duke marrë parasysh se si është zgjedhur presidente, Jahjaga në Kosovë nuk e ka peshën dhe legjitimitetin të cilin Nikoliçi e ka në Serbi. Në anën tjetër ajo qëmoti ka shprehur gatishmërinë për takim me Tomislav Nikoliçin.

Daçiçi është në pozitë më të vështirë sesa Thaçi. Ai së fundi është dyshuar edhe se ka pasur lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar dhe ka mundësi që e gjithë kjo të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në Serbi. Në atë rast do të rrezikohej edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe procesi i normalizimit të raporteve. Prandaj përfshirja e presidentit të Serbisë në këtë dialog  bëhet e domosdoshme. Kjo është edhe arsyeja pse në Bruksel kanë insistuar që ky takim të zhvillohet gjithsesi para rundit të ri të dialogut Thaçi –Daçiç, që pritet të zhvillohet më 22 shkurt në Bruksel. Nëse deri atëherë nuk do të ndryshojë diçka në Serbi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.