Zhbllokimi i komunave nga dëbora, një histori e mbyllur për qeverinë dhe mediat proqeveritare

Postuar në 23 Shkurt, 2012 05:14

Kryeministri Berisha dhe mediat proqeveritare e kanë quajtur një histori të mbyllur me sukses zhbllokimin e komunave nga dëbora e madhe që mbuloi më shumë se gjysmën e territorit të Shqipërisë. Fokusi i tyre është përqëndruar tani në ngjarje të tjera.  Por dje disa media që nuk janë nën ombrellën e qeverisë dhanë një kronikë që tregonte shpërndarje ndihmash në malësinë e Korçës nga Erion Veliaj, sekretar për Rininë dhe Emigrantët i PS-së, dhe Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës. Dhe ajo kronikë demonstronte se rrugët në komunat malore të Korçës, përkundër deklaratave të qeverisë, nuk janë ende të hapura.

Për të mësuar më shumë detaje, kontaktuam me Veliajn, nga i cili mësuam se të rinjtë e FRESSH Korcë përgatitën 200 paketa ushqimore e sanitare  për të izoluarit në Panarit, Shtyllë e Lubonjë. Ai tha se udhëtimi qe i mundur me shumë vështirësi gjer në Vithkuq, duke e bërë të pamundur ecjen më tutje, ku mijëra banorë janë izoluar totalisht.

Këto komuna administrohen nga PD. Fadromat borëpastruese dhe përpjekja e shtetit janë inekzistente, sipas Veliajt, dhe transporti s'funksionon prej 10 ditësh, ndërsa energjia elektrike mungon prej 6 ditësh, edhe pse zona ka hidrocentralin e saj. Fshatarët i dëshmuan të rinjve socialistë se helikopteri nuk u  është përgjigjur nevojave mjeksore dhe kontakti është i humbur totalisht me Panaritin e Shtyllën. Madje një prej banorëve do të dëshmonte në bisedë me Veliajn e Peleshin: “Ke shtyllën, ke Çemeritën, ke Panaritin, ke Graboçkën, ke Rehovën që nuk bëhet fjalë, janë të totalisht të mbyllura. Të tëra që thonë janë gënjeshtra.”

Një prej banorëve të Vithkuqit do tregonte për problemet me të cilat përballen banorët atje:“Fshati jonë gjithmonë ngelet pa energji elektrike. Fshati jonë, shkriu bora, shkrijnë të gjitha ngelet, e pa ujë të pijshëm. Fshati jonë ka shumë e shumë probleme që askush nuk interesohet.”

Duke bërë një pjesë të rrugës në këmbë në pamundësi për të çuar mjetet deri në destinacion, të rinjtë e Partisë Socialiste dorëzuan ndihmat në Vithkuq nga ku do të shpërndahen me mushka në zonat e izoluara.  Veliaj iu kërkoi strukturave të Fresh të zonës që të ndajnë ndihmat te njerëzit më nevojtarë pa dallim përkatësie partiake: “S’ka rëndësi se për kë votojnë, nëse dikush është fukara, Partia Socialiste është parti e solidaritetit, kështu që të ndihmojmë çdokënd.” Ndërsa Niko Peleshi, në bisedat me banorët e Vithkuqit tha: “Nuk është serioze që të thuhet se gjithë qarku i Korçës nuk ka probleme. Nuk është serioze që të thuhet se nuk ka komuna të bllokuara, këtu kemi gjetur një situatë shumë dramatike.”

Veliaj e mbylli me këto fjalë komunikimin me ne: "Teksa qeveria mban bllokuar rrugën, se nuk i jep naftë një fadromisti që voton PS, kuptojmë që mentaliteti i ngrire e jo rrugët e ngrira janë problemi në këtë vend. Këtë duhet të shkrijmë, ndaj jemi solidarë me të gjithë, edhe këtu në Vithkuq ku nuk qeverisim ne, por ku ne duhet të tregojmë si qeveriset me dhembshuri"

Etika gazetareske e kërkon që ne të kontaktojmë edhe përfaqësuesit e qeverisë në lidhje me situatën në komunat e sipërpërmendura, por a ia vlen? Prefekti i Korçës ka deklaruar që para një jave në Top Story të Sokol Ballës se të gjitha komunat e Qarkut të Korçës janë zhbllokuar…

Re.Pu.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.