UEFA: Kampionati shqiptar i trukuar!

Një raport konfidencial i UEFA-s, i zbardhur nga Top Channel, ka dhënë alarmin për shitjen e ndeshjeve dhe manipulimin e rezultateve në kampionatin tonë.
Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficientëve. Deri edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe aksion, monitorohet për të dhënë një përcaktim të saktë të takimeve të trukuara. Nga raporti del se vetëm më 20 prill 2011 janë trukuar 5 ndeshje: Skënderbeu – Laçi (2-0), Flamurtari –Dinamo (6-2), Besa – Kastrioti (3-2), Elbasani – Teuta (2-4), Bylis – Shkumbini (2-0). Këtë javë vetëm Vllaznia-Tirana i ka shpëtuar trukimit, çka të bën të të vijë gjynah, se ngjajnë si ekipe jetimë që s’u ka dhënë prindi paratë e sanduiçit. Ndërsa për ndeshjen Kastrioti – Vllaznia (2-1) e luajtur këtë sezon më 3 tetor, raporti akuzon me emra 4 lojtarë, Caca, Muçollari, Grami dhe Turdiu dhe gjyqtarët Janku, Pregja dhe Avdo.
Debati i trukimeve në kampionatin shqiptar të futbollit ka kaluar si çdo akuzë tjetër korruptive në këtë vend: s’ka prova. Tani, provat i solli UEFA. Më pas, pritet që të dalin fajtorët e të thonë “video është e montuar”, të kërkojnë ekspertë shqiptarë se nuk u besojnë të huajve, e në fund të mos dënohen për tejkalim afatesh. Pyetja që lind, është: a na duhet një kampionat futbolli i cili përcaktohet në kafene?
N.S.
Add new comment