Topalli: Nuk votoj Fatos Nanon për President

Bëhet publike kundërshtia e Jozefina Topallit, kryetare e Parlamentit, për kandidaturën e Fatos Nanos për presidentin e ri të vendit.
Zonja Topalli bëhet e para politikane e rangut të lartë në radhët e PD, që shprehet në media kundër ish kryeministrit dhe ish kryetarit të Partisë Socialiste, i cili para disa ditësh shpalli se do të jetë kandidat (është hera e tretë që e bën) për President të Republikës
Megjithëse dukej sikur dalja në Tv ishte për të kritikuar Bamir Topin president në detyrë, në një intervistë për gazetaren Sonila Meço në televizionin ABC News, zonja Topalli u ndal tek z.Nano dhe tha qartë se “nuk e votoj Fatos Nanon për President”. “Nanon nuk gjykoj dhe as paragjykoj asgjë pasi çdo njeri ka të drejtën të kandidojë”, por shtoi se ish-kryeministrin nuk e sheh si presidentin e ardhshëm; të paktën jo me votë prej saj.
Deklaratat e zonjës Topalli vijnë pasi kryeministri Berisha, disa herë i pyetur nëse do të mbështetet z.Nano, e ka anashkaluar dhënien e përgjigjes duke mos u shprehur kurrë kundër tij. Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta e disa politikanë të tjerë të mazhorancës, po ashtu nuk janë shprehur kundër Fatos Nanos për President.
Sa për kujtesë në këtë mënyrë agresive ndaj Nanos ka reaguar dhe Bamir Topi pak orë përpara se të shpallte kandidaturën e tij për rolin e presidentit, që më pas u bë realitet.
A. Kananaj
Add new comment