Sopranoja Ermonela Jaho: Një nga ‘Violetat’ më të mira në xhiro

‘Classicalify’ është një website që ndjek me vëmendje muzikën klasike, koncertet orkestrale dhe operat, dhe informon publikun lidhur me to. Tri ditë më parë, në të shkruhej mbi Traviatën e vënë në skenë në Stokholm, dhe për interpretimin e Violetës prej një sopranoje “që ndoshta nuk është e njohur për të gjithë, por që është një nga më interesantet e skenave operistike të botës”. Është fjala për shqiptaren Ermonela Jaho.
Mediat shqiptare, në kërkim të shqiptarëve të talentuar që kanë spikatur jashtë vendit, janë ndalur më së shumti, e me të drejtë, tek suksesi i Inva Mulës, por ka vite që në ‘zejen’ e Invës ka bërë po kaq bujë dhe Ermonela Jaho. Të dyja janë të shkollës shqiptare.
“Ermonela e ka luajtur shpesh rolin e Violetës, por Violeta që ajo u dha stokholmasve ishte e veçantë; kish vite që një Violetë e tillë nuk ishte parë në skenat e kryeqytetit suedez”, shkruajnë në ‘Classicalify’, duke mos harruar një këshillë për suedezët: “Nëse s’mundeni ta shihni këto ditë të dhjetorit Ermonela Jahon, mund ta kapni atë në Londër në janar, ose në Vienë në maj-qershor”.
Në fund një vëzhgim, që do duhej t’mos e lexonin partnerët që luajnë me të në operan Traviata: “Është për të ardhur keq që Opera Mbretërore nuk ka gjetur një Alfredo në lartësinë e Violetës së Ermonela Jahos”.
Re.Pu.
Add new comment