Presidenti Topi “futet” në politikë para kohe; dhe i kthen kusurin kryeministrit

Postuar në 06 Mars, 2012 06:58

Sa më shumë afron data e skadimit të mandatit presidencial, aq më i zgjidhur ndihet Topi nga skrupujt institucionalë. Sot ai ka bërë reagimin më të fortë politik nga pozitat e kreut të shtetit. Shkak i ka dhënë Berisha që nuk ka ditë t’mos e përmendë në mënyrë idhnake. “Njeriu që akuzon duhet të japë shpjegim për polifotot me anëtarët e byrosë së diktaturës”, tha Presidenti duke iu referuar një numri fotosh të publikuara, ku Berisha shfaqet mes anëtarëve të byrosë politike e nën shoqërinë e fëmijëve të diktatorit komunist. Dhe më tej vazhdon me të njëjtin ton denoncues: “Pra ky personazh është bërë iluzionist, është bërë si David Kopperfield-i, thotë do ua kthej pronat, nuk ua kthen, thotë do dëmshpërblej të përndjekurit, nuk e bën; ka 7 vjet që është në pushtet dhe nuk e bën; nga viti ‘68 është anëtar partie, sekretar partie dhe ka 22 vjet nuk që i kompenson; ku qëndron e vërteta?” U rikthehet dhe dosjeve: “Unë jam për hapjen e dosjeve. Nëse do hapen dosjet, shqiptarët do shohin çudira.” Nuk kursen as Ilir Rusmalin: “Është ironike dhe hipokrizi e papranueshme që në krye të Komisionit të Ligjeve të jetë pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë të kohës së diktaturës”.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.