Maxhoranca ka nisur me ngut procedurat e shkarkimit të Spahiut

Ka marrë udhë shpejt e shpejt procedura për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, së cilës nuk dihet nëse do t’i shkohet deri në fund. Por për të nisur, ka nisur. Madje, në mënyrën më të keqe të mundshme. Kreshnik Spahiu ka qenë i ftuar në Komisionin e Ligjeve të kryesuar nga Ilir Rusmali, por komunikimi mes të dyve ka qenë shumë i tendosur.
Qysh në fillim është lexuar nga deputeti Gumi “akuza” e maxhorancës, sipas së cilës "Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur". Spahiu ka deklaruar se procedura që po ndiqet për shkarkimin e tij është antikushtetuese. Sipas tij, nuk është Kuvendi që e shkarkon nënkryetarin, dhe prandaj ata nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Ilir Rusmali i ka kujtuar se nuk mund të flasë për substancën, d.m.th për hetimin, por vetëm për procedurat, dhe në vijim i ka hequr të drejtën e fjalës, dhe mikrofonat, duke e shoqëruar gjestin me fjalët (sipas Balkanweb-it): “Po sillesh me harbutëri, po del jashtë rendit të ditës”. Kaq është dashur që Spahiu të dalë nga mbledhja. Pas tij ka dalë dhe opozita, që nuk është dakord me këtë nismë të maxhorancës. Por kjo e fundit ka vijuar me miratimin e kërkesës për hetim.
Re.Pu.
Add new comment