Komandanti i UÇK-së, Geci, dënohet për krime të luftës

Sabit Geci, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve në Shqipërinë e veriut, u dënua me 15 vjet burgim nga një gjykatë e qarkut e Mitrovicës, raporton SETimes.com.
Gjykata e shpalli atë fajtor për akuza që rrjedhin nga veprimet e tij të kohës së luftës në kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan. Kampet fillimisht shërbyen si baza logjistike dhe trainimi, por Geci i transformoi ato në struktura burgimi për shqiptarët e Kosovës që nuk dëshironin të merrnin pjesë në konflikt, apo që besoheshin nga UÇK-ja se kishin bashkëpunuar me autoritetet serbë.
Tre bashkëpunëtorë – Riza Aliaj, Shaban Hoti-Rezalla dhe Haki Rexhepi – u shpallën gjithashtu fajtorë për torturimin e civilëve për të marrë informacion apo për të bërë pranime.
Geci, një anëtar themelues i UÇK-së, ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Kryeministrit Hashim Thaçi gjatë luftës. Mbetet për t'u parë, megjithatë, nëse kryeministri do të ketë ndonjë pasojë politike në lidhje me vendimin.
"Ky rast mund të ketë ndikim duke e izoluar politikisht më tej kryeministrin, por zor se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë," i tha SETimes Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Politikës Ballkanike (IPOL) Seb Bytyçi.
Vendimi vjen ndërsa EULEX përgatitet të hetojë mbi dyshimet se UÇK-ja ishte përzjerë në trafikimin e organeve gjatë luftës. Zërat për trafikun e supozuar kanë qarkulluar me vite dhe u ngritën zyrtarisht në një raport të 2010-tës nga raportuesi i Këshillit të Europës Dik Marti, që implikoi posaçërisht Thaçin. I njëjti raport pretendon se Geci torturoi dhe qëlloi për vdekje një civil në Kukës.
Gjyqi u ndoq me vëmendje në Serbi për shkak të referencës së dy kampeve në Shqipërinë e veriut. Familjet e serbëve të Kosovës të rrëmbyer pretendojnë se e kanë ditur që më 1998 se të humburit transportoheshin atje.
"Shqiptarë me ndikim erdhën dhe na thanë se të afërmit tanë janë të burgosur në Shqipëri me qëllim që të shkëmbehen me shqiptarë të mbajtur në burgjet serbë. Raporti [i Dik Martit] tha se serbët që ishin rrëmbyer nga Rahoveci ishin parë të gjallë më së fundmi në kalimin me Shqipërinë, domethënë, në një kamp në Kukës," tha Olga Bozhaniçi, një përfaqësuese e Shoqatës së Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Humbur.
"Nëse do të ishim besuar më parë, ndoshta disa nga të afërmit tanë do të ishin ende gjallë. Por duket se edhe sot, nuk ka vullnet për të hetuar krimet kundër serbëve", i tha ajo SETimes.
Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi tha se vendimi i Gecit nuk është "i lidhur me raportin e Dik Martit".
Bytyçi pranoi se lidhja nuk është e qartë. "Raporti i Martit përmban histori të ndryshme që nuk janë kurdoherë të përputhshme dhe të lidhura me njëra-tjetrën, kështu që është e vështirë të thuash se rasti i Gecit lidhet me akuzat e Martit."
Z.A.
Add new comment