Disidentët e munguar të Faslli Halitit

Në letërsinë shqipe gjatë periudhës së komunizmit nuk ka patur disidentë. Deklarata i përket poetit Faslli Haliti në një intervistë për të përjavshmen Mapo ku ka sqaruar edhe psenë e kësaj “thatësire” në akte kundërshtuese ndaj regjimit. “Unë nuk njoh ndonjë nga poetët apo shkrimtarët tanë gjatë gjatë diktaturës që të ketë pasur mosmarrëveshje të hapura apo të drejtpërdrejta doktrinare, politike”. Pasi përjashton atë që ai quan “përplasje doktrinare”, Haliti vazhdon me idenë e tij: “Nuk njoh as ndonjë poet apo grup poetësh e shkrimtarësh që gjatë diktaturës të dëshironte të grindej, të mos pajtohej, të deklaronte apo të shfaqte hapur në mënyrë të drejtpërdrejtë ide në kundërshtim me ato të PPSH-së”. Madje, vazhdon poeti, secili përpiqej jo të ndahej por të afrohej, t’i forconte lidhjet me regjimin. Por, ai “krijon” një grup disidentësh indirektë të cilët e fshihnin kundërshtimin te alegoria apo metaforat e vargjeve, por edhe te cilësia e veprës së tyre. Në këta të dytët Haliti veçon Kadarenë, Agollin dhe Arapin. Faslli Haliti në shtjellë të intervistës del kundër edhe atyre shkrimtarëve që mëtojnë se disidencën e tyre e kanë mbajtur të fshehur në sirtar. Këtë lloj disidence ai e barabit me “ata topat buzë detit në Durrës mbi të cilët sot pushon turpi dhe harrimi sepse heshtën atë ditë kur duhej të gjëmonin”.
L. A.
Add new comment