Zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, sondazhet: Fiton opozita

Në Gjeorgji projektohet ndryshimi i parë demokratik i pushtetit që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Sondazhet e transmetuara nga televizioni shtetëror gjeorgjian i dhanë fitoren opozitës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura sot.
Zgjedhjet u panë si sfidë mes presidentit Mikheil Saakashvilli dhe Bidzina Ivanishvili, një manjati miliarder me një pasuri gati sa gjysma e madhësisë së ekonomisë së Gjeorgjisë. Sondazhet menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, i dhanë Koalicionit "Ëndrra Gjeorgjiane" të Bidzina Ivanishvilit 35 për qind të votave, ndërsa Lëvizjes Kombëtare të Bashkuar të Saakashvillit, 30 për qind të votave.
Sipas mediave të pavarura, koalicioni i 6 partive në opozitë ka marrë sipas projeksioneve aktuale, 51 për qind të votave, ndërsa Lëvizja Kombëtare e properëndimorit Saakashvilli nuk kishte kaluar më tepër se 41 për qind. Saakashvili, 44 vjeç, duhet të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, kur të hyjnë në fuqi reformat që dobësojnë kreun e shtetit dhe duke i dhënë më shumë pushtet parlamentit dhe kryeministrit.
Nëse vërtetohet, ky është ndryshimi i parë demokratik i pushtetit në Gjeorgji që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por Komisioni Qendror Zgjedhor ka kërkuar nga të gjitha partitë, që marrin pjesë në zgjedhjet e sotme parlamentare, të mos pretendojnë fitore, deri në shpalljen e rezultateve zyrtare të martën në në mëngjes. Zëdhënësi i KQZ-së, Eka Azarashvili, tha se pjesëmarrja në zgjedhje, deri vonë pasdite, ishte 53 për qind.
Albanian Screen
Add new comment