Zbulohet marrëveshja e re e qeverisë me “Patton Boggs” për lobimin deri në zgjedhje

Kryeministria nuk e ka publikuar vendimin e marrë më 7 dhjetor
Zbulohet kontrata e re, më saktësisht amendimi i kontratës së qeverisë shqiptare me kompaninë lobuese amerikane “Patton Boggs”, e cila ka marrë përsipër këshillimin për dy privatizimet më të rëndësishme siç është “Albpetrol” dhe “CEZ Shpërndarje”. Siç mësohet, qeveria ka firmosur kontratën e re me kompaninë amerikanë më 7 dhjetor të vitit të kaluar. Në fakt, ka një korrigjim me shkrim dore në draftin zyrtar, pasi ishte shkruar paraprakisht muaji nëntor e më pas me stilolaps është shtuar dhjetori. Marrëveshja është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, dhe për kompaninë amerikane nga W. Caffey Norman. Por qeveria shqiptare ende nuk e ka publikuar vendimin e Këshillit të Ministrave, pasi në këtë institucion duhet të votohej për të shtuar kontratën. Kontrata përmban angazhimet e kompanisë amerikane për lobim, këshillim, pra imazh në periudhën deri në zgjedhjet e 23 qershorit. Siç duket, kompania që ka shërbyer si partnere e Berishës në dy prej privatizimeve më të mëdha, do të jetë dhe strategia elektorale e imazhit të mazhorancës për të siguruar një mandat të tretë, që si thelb të fushatës do të ketë retorikën nacionaliste dhe paraqitjen e Kryeministrit Berisha si liderin e të gjithë shqiptarëve. Në një kohë kur Departamenti i Shtetit i ka bërë të qartë Kryeministrit shqiptar se duhet të lërë mënjanë logjikën nacionaliste për ta përdorur në zgjedhje, kompania “Patton Poggs”, duket se do të lobojë për të zbutur efektet e një veprimi të ashpër të administratës amerikane të paktën deri më 23 qershor. Në kontratën e firmosur në fund të vitit të shkuar theksohet se kjo kompani do ta mbështesë qeverinë shqiptare në qeverinë dhe Kongresin Amerikan, këshillime dhe mbështetje në çështjet kur ka probleme shqetësuese nga organizatat jofitimprurëse të SHBA, por edhe në investimet e huaja dhe promocion. Sipas kontratës, kompania do ta mbështesë Shqipërinë në nivele të ndryshme të qeverisë amerikane për të forcuar lidhje diplomatike në administratën “Obama” dhe Kongres për të avancuar statusin e Shqipërisë përballë vendimeve politikëbërëse të SHBA-së. Fusha e dytë është ajo e këshillimit dhe mbështetjes së OJF më të mëdha amerikane që publikojnë raporte për Shqipërinë, duke përfshirë këtu “Freedom House”, Universitetin e Harvardit, Institutin Kato dhe shumë institute të tjerë studimore. Paketa e tretë e shërbimeve lidhet me zhvillimin ekonomik dhe promovimin e investimeve. “Patton Boggs” do të kërkojë mbështetje financiare nga institucionet botërore të financave dhe do të përpiqet të arrijë mbështetjen e qeverisë amerikane për projekte të ndryshme investimesh që identifikohen në Shqipëri. Pjesa e fundit e kontratës lidhet me imazhin e qeverisë shqiptare. “Patton Boggs” do të ndërhyjë pranë mediave amerikane për të siguruar hapësira intervistash për zyrtarët e qeverisë shqiptare gjatë vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Kompania do përgatisë dhe trajnojë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare për intervistat që do të japin në këto media sipas praktikave më të mira të komunikimit, thuhet në kontratë.
Në fund, kompania merr përsipër të monitorojë mediat amerikane dhe madje të ndërhyjë sa herë që në to do të ketë raportime të rëndësishme për Shqipërinë. “Patton Boggs” është një emër i njohur për publikun shqiptar. Vetëm në formën e kontratave të lobimit, ajo ka marrë nga qeveria shqiptare qindra mijë dollarë duke filluar nga viti 2008. Bëhet fjalë për kontrata që variojnë nga 200 mijë deri në 300 mijë dollarë në vit, vetëm sipas shifrave zyrtare. Por, paralelisht, kjo kompani ka qenë dhe konsulentja ligjore thuajse në të gjitha privatizimet më të rëndësishme në Shqipëri. Dy më kryesorët janë ai i ARMO-s dhe kompania “Albpetrol”. I pari, i etiketuar nga opozita si i dështuar, ndërsa i dyti, tashmë i pranuar nën zë dhe nga vetë qeveria si i tillë, apo të paktën si problematik. “Patton Boggs” ishte kompania që certifikoi ekzistencën e garancisë së ofertës në rastin e tenderit të “Albpetrol”, e cila tashmë dihet që nuk ka mbërritur në arkën e shtetit shqiptar. Qeveria shqiptare ka kërkuar zyrtarisht prej gati dy muajsh ekzekutimin e 85 milionë eurove nga banka, ku pretendohej se ishte garancia, por paratë nuk mbërritën. Çështja, me gjasa mund të shkojë në gjyq, por rikuperimi i parave duket gjithmonë e më shumë mision i pamundur.
Në rast suksesi, “Patton Boggs” përfitonte një bonus shtesë 22 milionë euro, para shtesë këto nga ato që kompania konsulente merrte nga kontrata e firmosur.
SHQIP
Add new comment