Ylli në Zvicër: Synojmë rritjen e sigurisë në punë dhe standardeve.

Reduktimi i vendeve të punës jashtë ligjit dhe siguria në punë kanë qenë temat kryesore gjatë takimit që kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli ka zhvilluar me presidenten e Organizatës Botërore të Inspektimit në Punë, Mishele Paterson. Kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli po merr pjesë në Kongresin e 14 të Organizatës Botërore të Inspektimit në Punë (IALI), që po mbahet në Gjenevë të Zvicrës, në zyrat qendrore të Organizatës Botërore të Punës (ILO).
Në takimin me presidenten e IALI, Ylli e njohu Paterson me rezultatet e punës së Inspektoratit të Punës në Shqipëri, veçanërisht në drejtim të rritjes së besueshmërisë dhe transparencës së institucionit, rezultatet e dukshme dhe mjaft pozitive në reduktimin e punës ilegale dhe luftën kundër informalitetit. Rritja e sigurisë në punë, përmirësimi i kushteve të punës dhe rritjen e standardeve të sigurisë për parandalimin e aksidenteve, kanë qene në qendër të bisedës.
Ylli tha se “vetëm në 6 muajt e fundit është bërë e mundur të zbulohen më shumë se 5200 punëmarrës në kushte ilegale, sikurse dhe evidentimin e më shumë se 2 mijë subjekteve që ushtronin aktivitet në kushte informate”.
Gjithashtu, kreu i Inspektoratit të Punës e njohu Paterson edhe me punën që po bëhet për respektimin e kontratës së punës midis punëdhënësve dhe punëmarrësve, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të mirëqenë të punës për punonjësit shqiptare.
Nga ana e saj Presidentja e Organizatës Botërore të Inspektimit në Punë vlerësoi rezultatet pozitive te Inspektoratit të Punës në Shqipëri.
Ajo inkurajoi Drejtorin e Inspektoratit për vijim të punës në drejtim të reduktimit të punës ilegale dhe informalitetit të punës në tërësi.
Paterson u shpreh se për të pasur kushte te mirëqena te punës për punonjësit, duhet bërë shumë punë për të evidentuar punonjësit ilegalë, si dhe garantoi mbështetje në realizimin e reformave.
Në këtë Kongres, që është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket marrëdhënieve të punës dhe inspektimit, marrin pjesë drejtues të inspektorateve të punës nga shumë vende të botës.
Tema kryesore e Kongresit të këtij viti ishte, "profesionalizëm, partnership dhe performance-për të pasur një efektivitet më të lartë në inspektimet e punës".
Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Inspektimit në Punë, dhe ndan të njëjtat sfida dhe objektiva siç janë lufta kundër punës ilegale dhe informalitetit të punës në tërësi, sikurse dhe bërjen e vendeve të punës më të sigurta dhe më të shëndetshme.
Add new comment