XHAVIT SPECIALISTI

Postuar në 16 Shkurt, 2013 02:59

 

Pavarësisht se u josh pas parave dhe u dënua plot një vit për këtë punë Xhavit Hajdari u kthye përsëri në Spitalin e Gjilanit. Këtë herë jo si drejtor, por si mjek specialist në repartin e hemodializës. Drejtori Abdylatif Latifi thotë se vetëm i ka ndjekur urdhrat e komisionit disiplinor të MSH’së dhe se nuk e ka shkelur ligjin duke e punësuar sërish Hajdarin.

Bënë çfarë u thanë. Abdylatif Latifit, njeriu që aktualisht e drejton Spitalin e Gjilanit, iu desh vetëm një kërkesë e komisionit disiplinorë që ta kthejë ish shefin e tij në punë. Latifit nuk i bëri fort përshtypje që ish-drejtori i Spitalit të Gjilanit, Xhavit Hajdari u dënua me një vit burg efektiv për korrupsion. Ai e sistemoi kolegun e tij sërish në spital. Këtë herë jo si drejtor, por si mjek specialist në repartin e hemodializës.

E një gjë të tillë drejtori i Spitalit të Gjilanit, Abdylatif Latifi, thotë se e ka bërë duke iu referuar urdhrave që ka dhënë komisioni disiplinor, para të cilit ka dalë Hajdari menjëherë pasi gjykata e gjeti fajtor dhe e dënoi me një vit burg efektiv. Latifi, i bindur se nuk e ka shkelur ligjin, thotë se gjëja e vetme që ka bërë në rastin e ish shefit të tij është fakti që e ka zbatuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. “Unë kam lejuar që Hajdari të kthehet në punë si mjek në repartin e hemodializës dhe jo në atë të internos, ku edhe ka punuar më parë. Unë vetëm e kam zbatuar vendimin e komisionit disiplinor dhe për procedurat tjera nuk mbaj përgjegjësi”, tha Latifi për rajonipress.

Në arsyetimin e komisionit disiplinor thuhet se deri në plotfuqishmërinë e vendimeve të organeve kompetente gjyqësore, i propozohet këshillit drejtues të Spitalit të Gjilanit që në përputhje me planin kadrovik dhe mundësitë buxhetore të sistemojë ish shërbyesin civil në pozitën e mjekut specialist internist me pamundësi të ushtrimit të këtij pozicioni në çfarëdo lloj posti menaxherial apo administrim me pasuritë e institucionit, kjo e mbështetur edhe nga vendimi i Gjykatës Komunale të Gjilanit.

Për një vendim të tillë ka dëgjuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. Ai thotë se pasi ish- drejtori ka dalë para komisionit disiplinor, ky i fundit ka vendosur që Hajdarin të mos e lejojë më të punojë në punët menaxheriale, por ka vërtetuar se i njëjti mund të jetë vetëm staf civil i spitalit. “Unë e kam parë një vërtetim të tillë”, ka thënë Hoti për Express.

E krejt ky ndërrim i vendit të punës nga drejtori në një mjek në spitalin e njëjtë vjen pak kohë pasi Gjykata Komunale e Gjilanit e dënoi Hajdarin me një vit burg për veprën penale “Marrje e ryshfetit”. Menjëherë pas kësaj, Ministria e Shëndetësisë në vendimin e saj të datës 30 janar 2013 të nënshkruar nga komisioni disiplinor: Hajzer Dobra, kryesues dhe Nazmije Kajtazi e Curr Gjocaj, anëtarë , pasi kanë shqyrtuar kërkesën e Spitalit të Gjilanit dhe pasi janë njoftuar nga Xhavit Hajdari se heq dorë nga drejtori i Spitalit të Gjilanit , e kanë njoftuar menaxhmentin e Spitalit të Gjilanit se Xhavit Hajdarit se i ndërpritet marrëdhënia e punës si drejtor ekzekutiv dhe i shqiptohet masa e ndalimit të ushtrimit të detyrave menaxhuese ose të detyrave që janë të lidhura me sistemimin, menaxhimin dhe shfrytëzimin e pasurisë.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Publike Komunale e Gjilanit në rastin e Xhavit Hajdarit ish drejtor i spitalit të Gjilanit sqaron në detaje se si ra në grackë Hajdari, i joshur pas parave. Sipas aktakuzës që e ka ngritur prokurori Esat Ademi thuhet se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, Xhavit Hajdari në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete,respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli,pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit. Fillimisht i pandehuri thuhet në aktakuzë në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit,në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.

Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove,dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë. E dëmtuara Sevdije Demolli ka specifikuar në polici dhe prokurori se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012. Kurse dëshmitarja Valentina Demolli ka thënë se me Xhavit Hajdarin ka pasur disa takime jo të këndshme. Madje kjo dëshmitare e ka akuzuar Hajdarin edhe për ngacmime, meqë i njëjti i kishte mbyllur derën dhe kishte tentuar ta prekte në pjesët e ndryshme të trupit. Ndërsa Xhavit Hajdari ka thënë në polici dhe prokurori se ato të holla Sevdie Demolli ia ka pasur borxh atij për shkak se ajo nuk ka mundur t`i paguaj punëtorët thuhet në aktakuzë. Xhavit Hajdari u arrestua në korrik të vitit të kaluar, pas një hetimi të gjatë që Policia për Krime Ekonomike po kryente ndaj tij.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.