Wollfarth: KQZ të bazohet në bashkëpunim dhe të shmangë politizimin

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka kërkuar nga gjithë anëtarët e KQZ bashkëpunimin në përgatitjet e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe shmangien e deklaratave që çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore.
Deklaratat e ambasadorit të OSBE janë bërë gjatë një takimi që ai ka zhvilluar me Grupin Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, ku kanë marrë pjesë edhe kryetarja dhe nënkryetari i KQZ.
“Është tejet e rëndësishme që të ketë një atmosferë bashkëpunuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve. Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”, – ka theksuar Wollfarth.
Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.
SHQIP
Add new comment