Vritet me 10 plumba 50-vjeçari. I riu: Më ofendoi para të gjithëve

SHKODER - Konfliktet dhe debatet e shpeshta për një sasi lekësh kanë përfunduar mëngjesin e kësaj të diele me vrasje në qytetin e Shkodrës. Dedë Xhakaj, 50-vjeç u ekzekutua me 10 plumba pistolete nga 20-vjeçari Ilir Hoxha pranë tregut të shumicës në Dobrac. Blutë e qytetit të Shkodrës arrestuan të riun, i cili deklaroi si motiv të krimit, faktin që 50-vjeçari e kishte “ofenduar rëndë në sy të të gjithëve”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës në tregun e shumicës, ku 50-vjeçari Dedë Xhakaj kishte shkuar për të bërë blerje. Sipas dëshmitarëve, tregtare dhe qytetarë të cilët ishin të shumtë në momentin e krimit, 50-vjeçari u ndesh në treg me Ilir Hoxhën dhe nisën të debatonin me njëri-tjetrin. Në debat e sipër, 20-vjeçari ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij me 10 plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Forca të shumta policie të cilat mbërritën në vendngjarje nisën hetimet, ndërsa nga marrja e dëshmive u bë i mundur edhe identifikimi i autorit. Ilir Hoxha u arrestua në banesën e tij dhe mësohet se nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu. Ndërsa u prangos, Hoxha deklaroi se e vrau Xhakën pasi e kishte fyer rëndë në sy të të gjithëve.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se viktima dhe autori kishin punuar sëbashku në ndërtim, ndërsa 50-vjecari e kishte ndërprerë punën me Hoxhën. Në këtë moment kishin nisur edhe debatet në mes tyre pasi kishin pretendime për një sasi lekësh. Xhaka dhe Hoxha kishin debatuar njëri me tjetrin sa herë që takoheshin, e ndërsa mëngjesin e së dieles, debati ka degjeneruar deri në sharje, çka ka bërë që i riu të nxjerrë pistoletën TT dhe të qëllojë më 2 karitor ndaj 50 vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend.
Add new comment