Vrau fqinjin në Paskuqan, familja e autorit të krimit braktis banesën

-Zhduket nga frika e hakmarrjes familja e autorit të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Paskuqanit. Bashkëshortja e Besim Ndreut është lënë e lirë mëngjesit e djeshëm nga policia. Ajo është kthyer në banesë, duke u larguar së bashku me djalin e saj. Banesa e familjes Ndreu është braktisur, ndërsa është larguar edhe vëllai i autorit të krimit, i cili mësohet se prej disa kohësh kishte shkëputur komunikimin me të. Ndonëse jetonin në dy banesë ngjitur njëra me tjetrën, vëllai i Besim Ndreut, është detyruar të largohet pas krimit të rëndë, ku mbeti viktimë Artur Gjiza. Autori i krimit ka pasur mamanë të sëmurë me tumor në mushkëri, por nuk dihet ende se në çfarë spitali është shtruar. Frika e hakmarrjes nga ndonjë i afërm i familjes së viktimës, ka bërë që policia të marrë masa, duke ruajtur banesën e Besim Ndreut. Autori i krimit të rëndë ishte kthyer para tre ditësh nga emigracioni dhe jetonte në një dhomë të vogël, të cilën ia kishte lënë të lirë vëllai, ngjitur me murin e shtëpisë private të vëllait, ku jetonte me gruan dhe djalin e tij. Vetëm 30 minuta pas ngjarjes së rëndë policia arrestoi Besim Ndreun, në ngarkim të të cilit është ngritur akuza e vrasjes me dashje. Mësohet se në polici autori ka deklaruar se nuk donte ta vriste komshiun e tij, por ky i fundit e ka ofenduar dhe lënduar.
Dëshmitë
Fqinjë të familjes Ndreu e përshkruajnë autorin e krimit si një person shumë problematik dhe të zhytur në borxhe. Njëri nga komshinjtë rrëfen se Besim Ndreu ishte braktisur nga familjarë dhe të afërm, pasi ishte një person shumë vetjak dhe i mbyllur. “Nuk njihte ndere ai person. Madje ne i kemi shkëputur marrëdhëniet me të prej shumë kohësh. E kemi ndihmuar, kur makina i përplasi babanë. Kemi ndërhyrë në polici, madje e kemi ndihmuar ekonomikisht. Por ai nuk i njeh nderet dhe është shumë i pashoqërueshëm. Këtu në këtë zonë ai ka edhe kushërinjtë e parë, me të cilët nuk flet prej kohësh. Madje asnjë nuk e dinte që ai do kthehej, nuk i kishte thënë askujt. Jeton në një banesë me vëllanë, por me të nuk ka komunikim”, rrëfen fqinji. Më tej ai shton se Besim Ndreu ka pasur probleme me bashkëshorten. “Disa herë ka ndërhyrë policia dhe e kanë dërguar gruan e tij në Dibër te familja për ta mbrojtur. Besimi para disa kohësh shkoi në Dibër dhe e mori sërish gruan. Ai është një person që ka marrë shumë borxhe dhe kjo bënte që të kishte probleme. Në lidhje me ngjarjen nuk është se di shumë. Ne jemi të dy nga Dibra dhe unë e kam patriot, por mund të them vetëm që Besimi i ka pasur lekë borxh viktimës. Nuk e di shifrën e saktë, por di që nga konflikti është plagosur shumë rëndë edhe djali i viktimës. Historitë e Besim Ndreut janë pa fund”, përfundon rrëfimi i fqinjit.
Viktima
Morti ka mbërthyer familjen e Artur Gjizës. Familjarë dhe të afërm kanë mbërritur nga Peshkopia për t’i qëndruar afër bashkëshortes së të ndjerit, i cili mbeti viktimë e krimit të ndodhur mbrëmjes e së premtes. Ndërsa mësohet se është transportuar nga spitali djali i viktimës, Roxhers Ndreu, 17 vjeç. Ai ka marrë një plagë nga goditja me thikë në zonën poshtë krahut. Mësohet se djali i Alfred Gjizës është nën ndikimin e medikamenteve për shkak të plagës së rëndë, por prania e tij në banesë është e nevojshme për anëtarët e tjerë të familjes, motrën dhe vëllanë. Është shumë e vështirë për të komunikuar me bashkëshorten e viktimës, e cila është shumë e tronditur dhe nuk mund të shprehet për çka ndodhi. Artur Gjiza do të përcillet sot paradite për në banesën e fundit, pasi pritet mbërritja e dy vëllezërve të tij që jetojnë në Amerikë. Njëri prej kushërinjve të viktimës rrëfen se është njoftuar në telefon për ngjarjen. Kur ka mbërritur Arturi kishte humbur jetën për shkak të plagëve të marra. Ndërsa konfirmon se autori i krimit ka qenë në borxh ndaj viktimës.
Dinamika
Fqinji i Artur Gjizës rrëfen dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe momentin e parë të konfliktit. Ai tregon se Besim Ndreu i morri përsipër Artur Gjizës që ti shoqëronte djalin për në Greqi. Kjo pasi vetë autori i krimit ishte emigrant dhe jetonte në Greqi. “Arturi i dha 100 euro Besimit, që t’i përdorte si shpenzime në rast nevoje. Por ndodhi e kundërta, Besimi morri lekët dhe braktisi në mes të rrugës djalin e Arturit. Pra këtë shumë lekësh Besimi ia kishte borxh Arturit, pasi i futi në xhepin e vetë dhe la në mes të rrugës djalin. Konflikti ka nisur mes djalit të viktimës dhe Besimit. Roxheri i ka kërkuar lekët që ia kishte borxh dhe kanë nisur të debatojnë. Besimi kishte marrë thikë dhe është logjikë se çfarë qëllimi ka një person që del me thikë. Arturi kishte mbërritur në shtëpi pas pune dhe e njoftuan në telefon se djali i tij po debatonte me Besimin. Është nisur me urgjencë dhe në debat e sipër Besimi i ka ngulur thikën disa herë. Ka ndërhyrë edhe gruaja e Besimit, me sëpatë goditi në kokë Arturin. Ndërsa u plagos djali i tij”, mbyllet rrëfimi. Familjarët e viktimës kërkojnë që drejtësia të vihet në vend dhe presin se çfarë do të ndodhë me autorin e krimit.
Shekulli
Add new comment