Vrasja e Lamajt, akuza: Policia po zvarrit procesin ndaj Frrokut.

Efektivë policie të komisariatit numër dy në kryeqytet po shkelin ligjin duke mos njoftuar dëshmitarët të jenë të pranishëm në seancën gjyqësore ndaj biznesmenit Arben Frroku, të akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Kombinatit Dritan Lamaj.
Prokurori Anton Martini deklaroi se kjo shkelje po bëhet shkak për zvarritjen e procesit gjyqësor dhe në këto kushte paralajmëroi se do të njoftojë zyrtarisht kryepolicin e Tiranës, Ardian Çipa për shkeljet e efektivëve të komisariatit numër dy të cilët nuk i kanë dërguar fletëthirrjet dëshmitarëve të këtij procesi.
Edhe i pandehuri ka shprehur “revoltën” e tij për këtë situatë, i cili ndërhyri duke thënë se shtyrja e seancave është e pakuptimtë dhe se po zvarritet duke zgjatur qëndrimin e tij në burg. “Kjo është seanca e tetë, afatet shtyhen kot. Kemi 3 muaj dhe kemi bërë vetëm 10 orë gjyq dhe unë mbahem i sekuestruar këtu”, u shpreh Arben Frroku në seancë.
Në seancën e kësaj të mërkure ishin të pranishëm vetëm 2 dëshmitarë, ndërsa seanca e radhës u shty për më 16 Maj.
Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në zonën e “Vasil Shantos”, pak metra larg nga apartamenti ku banonte. Biznesmeni Frroku u akuzua si autori kryesor i këtij krimi duke u arrestuar në Selanik, ndërsa vetëm pak muaj më parë u ekstradua drejt Shqipërisë.
Në të gjitha seancat e zhvilluara Frroku i ka mohuar akuzat.
Add new comment