Vrasja e Dritan Lamajt, Athina dorëzon Arben Frrokun

Postuar në 09 Nëntor, 2013 03:09

Greqia më në fund lejon ekstradimin e Arben Frrokut, i cili mbahej në burgun e Selanikut që prej mëngjesit të datës 25 shkurt 2013. I vënë nën një akuzë të drejtpërdrejtë nga policia për vrasjen e ish shefit të Komisariatit Nr.6, të Tiranës, Dritan Lamaj. I pandehuri ka mbërritur pasditen e djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”  nën masa të rrepta sigurie dhe është sjellë në drejtim të paraburgimit të 313-ës. Një ditë më parë, u ekstradua edhe kushëriri i tij, Jak Jaku, djali i dajës së Frrokut, i cili fillimisht ishte vënë gjithashtu nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje, ndërsa më pas çështja e tij u veçua dhe u kalua në gjykatën e Tiranës për armëmbajtje pa leje dhe posedim lëndësh narkotike. Arrestimi i bujshëm në një hotel të Selanikut, vetëm pak orë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, bëri që emri i tij dhe akuzat ndaj tij të mobilizonin drejtësinë e dy shteteve. Kthimi i Arben Frroku u vështirësua dhe u shty në kohë, sepse, megjithëse në burg, ai u listua në listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës për Partinë Kristian Demokrate, votë që në emër të tij e mori vëllai, Mark Frroku, që sot është deputet i Kuvendit. I dyshuari kryesor i policisë, Arben Frroku, pak minuta pas vrasjes së  Driran Lamajt u shpall në kërkim, ndërkohë që ishte nisur në drejtim të Greqisë, por çuditërisht u la të kalonte i qetë pikën kufitare të Kapshticës. Policia atë natë kishte rrethuar shtëpitë e familjes Frroku, bizneset dhe shtëpitë e të gjithë miqve dhe të afërmve të tij. 44-vjeçari u arrestua në gjumë në dhomën e hotelit në Selanik, ndërsa për prangosjen e tij, ishin nisur nga Athina Forcat Speciale të policisë vendase. 

Beteja për ekstradimin           

Me 26 shkurt, dy ditë pas vrasjes së Dritan Lamajt, Gjykata për Krime të Rënda caktoi masën e sigurisë në mungesë për Arben Frrokun. “Arrest me burg” si i dyshuar për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Drejtësia përgatiti dosjen ndaj Frrokut dhe e nisi te homologët në Greqi me qëllim ekstradimin e tij. Edhe vetë Arben Frroku publikisht u shpreh se donte t?7 kthehej në Tiranë dhe te përballej me akuzat, mbrojtja e tij synoi praktikisht shtyrjen e ekstradimit deri sa të përfundonin zgjedhjet dhe të ndërroheshin pushtetet. Kërkesa për ekstradim, e cila u sigurua ekskluzivisht nga “Shekulli”,  përmbante një fakt që sipas Gjykatës për Krime të Rënda ishte edhe prova që implikonte Frrokun në ngjarjen e rëndë të atentatit ndaj Lamajt. Në kërkesë thuhej se Frroku kishte telefonuar një miku të tij në Greqi, duke i treguar se “kishte kryer një punë dhe se kur të shkonte atje do të festonin”. Gjykata e Selanikut shpalli moskompetencë duke e deleguar çështjen e tij në shkallën me të lartë të gjykimit të Athinës. Pas një sërë tentativash të drejtësisë tonë për të kryer ekstradimin e tij edhe në mënyrë top-sekret pas vendimit të Gjykatës së Athinës për ekstradimin e tij, Arben Frroku u mbajt sërish në burgjet greke, ndërsa Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë, nisi të shtynte afatet e hetimit, ku shtyrja e fundit ishte me dy muaj. 

Makina e vrasjes 

Ekzekutimi i Dritan Lamajt ndodhi pasditen e 24 shkurtit, rreth orës 18.40 minuta, në afërsi të banesës së tij. Menjëherë nga vendi i ngjarjes policia mori informacionin se komisari është qëlluar me breshëri nga një makinë BMW ngjyrë gri, me targa të Durrësit. Madje dëshmitarët okular dhanë edhe targat e mjetit dhe kjo targë e makinës së vrasësve u bë publike menjëherë. Policia humbi gjurmët e mjetit nga ku u qëllua Lamaj, por në Durrës i zoti i makinës së vjedhur u paraqit në polici dhe deklaroi se kjo ishte makina që ai kishte denoncuar të vjedhur tri net më parë. Pas rreth 12 orësh nga vrasja, policia duke hyrë në konflikt me prokurorinë, (që nuk ishte dakord me nxjerrjen e autorësisë pa u mbledhur provat), publikoi arrestimin e Arben Frrokut e Jak Jakut në Selanik, ndërsa makina u gjend rreth 24 orë pas vrasjes, në flakë në afërsi të Domjes. Policia dhe prokuroria teksa kërkonin prova për implikimin e Frrokut në ekzekutimin e Lamajt, nisin hetimet për të gjetur edhe grabitësit e BMW-së me të cilën u krye vrasja. Pas dy ditësh u vu nën akuzë dhe në pranga Gentjan Bejtja nga Larushku i Fushë-Krujës dhe tre muaj më vonë policia dhe prokuroria bënë publike se Bejtja nuk kishte qenë i vetëm në atë grabitje, por kishte marrë pjesë edhe Enver Stafuka, një fqinj i tij. Asnjëri nga të arrestuarit nuk pranoi akuzat për pjesëmarrje në atë grabitje, por ata vijojnë të jenë në dispozicion të drejtësisë në qeli. Ekstradimi i Frrokut mund të hedhë dritë edhe mbi pozicionin e tyre, pasi të gjithë palët, pretendojnë se  nuk janë njohur kurrë me njëri tjetrin.           

Ekstradimi për vrasjen e Kryekomisarit Lamaj 

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ditën e sotme, kreu ekstradimin nga Athina, Greqi, drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Arben Preng Frroku, vjeç 43. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26 shkurt 2013, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg“, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese“, parashikuar nga neni 79/c, i Kodit Penal. Shtetasi Arben Frroku dyshohet të jetë autori i vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamajt, ngjarje kjo e ndodhur me datë 24 shkurt të këtij viti. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Jak Mark Jaku, vjeç 31.  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për shtetasin Jak Jaku, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake“ dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike“ parashikuar nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamaj, më datë 25 shkurt 2013 është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën e sekuestruan 529 gramë heroinë, 396 gr kokainë dhe 37 gr kanabis sativa, si dhe disa armë zjarri që mbaheshin pa leje. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve në qytetin e Selanikut, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza„ në Rinas, këta dy shtetas u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.