Vorpsi mbledh grupin e punës për përmirësimin e situatës në tregje.

Postuar në 22 Maj, 2014 14:02

Cilësia e administrimit të tregjeve dhe përmirësimi i punës së kontrolleve që ushtrohen nga institucionet shqiptare ka qenë tema në qendër të diskutimeve në mbledhjen e Grupit të Punës për Administrimin dhe Konformitetin e Tregjeve. Në takimin e zhvilluar sot në Prefekturën e Tiranës, theksi u vu në evidentimin e problematikave dhe gjetjen e zgjidhjeve efikase. Në mbledhjen e thirrur nga prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi, me qellin bashkërendimin e punën midis institucioneve qendrore në nivel vendor dhe organit të Bashkisë Tiranë, merrnin pjese përfaqësues të AKU, DSHP, Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Çipa, si dhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.
 
“Duke marrë shkas nga ankesat e shumta të qytetarëve, vëmë re se aktivitetet ushqimore ushtrojnë veprimtarinë e tyre jo vetëm në kushte informale, por edhe në shkelje të vazhdueshme të ligjeve që rregullojnë veprimtari të tilla. Këto aktivitete të cilat nuk respektojnë dhe zbatojnë detyrimet ligjore që lidhen me sigurinë ushqimore, standardet higjieno-shëndetësore e që përbëjnë pasoja për sigurinë e shëndetit publik, paraqesin probleme të shumta edhe me legjislacionin fiskal” , u shpreh Prefekti i Qarkut Tiranë.
 
Nga ana tjetër, ai theksoi se institucioni i Prefektit do të jetë i angazhuar dhe do të japë të gjithë mbështetjen e tij për mbarëvajtjen e punës së të gjithë institucioneve vendore dhe njësive të qeverisjes vendore në Qarkun e Tiranës, puna e të cilëve është e lidhur direkt me administrimin e aktiviteteve private ushqimore dhe zbatimin korrekt të detyrimeve ligjore.
 
“U kërkoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të thirrura të na informojnë rreth kësaj situate dhe të përcaktojmë një plan masash për të mundësuar nëpërmjet mbikëqyrjes së Grupit të Punës, përmirësimin e situatës”, theksoi Prefekti Vorpsi.
 
Ndërkaq, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo, kërkoi që grupi i punës të relatojë me vërtetësi gjendjen mbi mangësitë e konstatuara dhe të dalë me një vendim të përbashkët për të zgjidhur këtë situatë.
 
Mbledhja e sotme vendosi që Grupi i Punës do të fillojë shqyrtimin e informacioneve që u paraqitën në këtë takim nga secili institucion vendor i veçantë dhe vendosi që në mbledhjen e radhës të analizohen masat që do të merren për mbikëqyrjen dhe kontrollet e vazhdueshme në tregje derisa situata të përmirësohet sipas standardeve të kërkuara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.