Vlorë, fluks fëmijësh me viroza në pediatri, rreth 100 vizita në ditë

VLORE- Edhe këtë verë, fëmijët nuk u kanë shpëtuar virozave të stinës. Në Pediatrinë e spitalit rajonal të Vlorës janë shënuar rreth 100 vizita në ditë, gjysma e të cilave shtrohen për t’u kuruar në ambientet e spitalit. Këtë e pohon shefi i repartit të Pediatrisë Fatmir Brahimaj, ndërsa thotë se temperaturat e larta apo ndotja e ajrit janë shkaktarët kryesorë të virozave.
Sipas tij reparti i Pediatrisë po punon me kapacitete të plota, pasi përveç fëmijëve nga Vlora, aty paraqiten edhe fëmijë të pushuesve që po kalojnë pushimet në qytetin bregdetar, por edhe të turistëve të huaj.
Një situatë e tillë përsëritet çdo sezon veror në repartin e pediatrisë në qytetin e Vlorës, ku për shkak të fluksit të lartë që e kalon normën e shtretërve, ka edhe nga dy fëmijë të shtruar në një krevat.
Higjiena dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve janë 2 nga masat kryesore që mjekët u rekomandojnë fëmijëve dhe prindërve të tyre, në mënyrë që ata të mos preken nga virozat e stinës.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në spitalin rajonal të Fierit, ku çdo ditë dhjetëra qytetarë, kryesisht fëmijë dhe të moshuar shfaqin komplikacione të ndryshme, si pasojë e virozave të stinës.
Add new comment