Vito Kapo: Sali Berisha ishte pjesë e ekipit mjekësor të Hysni Kapos

Bashkëshortja e Hysni Kapos, bashkëpunëtorit të afërt të Enver Hoxhës, Vito Kapo rrëfen se në ’78-ën Sali Berisha është caktuar në ekipin mjekësor të Hysniut.
Ajo pohon se pas infarktit të parë që pati pësuar Hysni Kapo, u krijua një grup i posaçëm për të ndjekur situatën shëndetësore të tij.
“Pas problemit shëndetësor të Hysniut, ministri caktoi për mbikëqyrjen e shëndetit të tij Sabitin, pra Sabit Brokajn, Saliun. Po në interesimin direkt për shëndetin e Hysniut kanë qenë kryesisht doktorët Dine Abazi, Petrit Gaçe, Vangjel Malo apo Iliriana Kondi nga Kuçi etj”, pohon Vito Kapo.
Ajo shprehet për Sali Berishën se e njihte në përgjithësi,para se Berisha të ishte pjesë e ekipit shëndetësor të bashkëshortit.
“E njihja si mjek, si kardiolog se ai vinte ndonjëherë në klinikën e udhëheqjes, e kisha njohur si njeri, si profesor… Kur shkoja unë në ndonjë rast në spital me ndonjë shoqe, më ndihmonte”.
Ajo përshkruan takimin e Mehmet Shehut me Hysni Kapon me këto fjalë: “Ishte një skenë shumë e çuditshme. Ndërsa Hysniu ishte i shtrirë në krevat, Mehmeti ishte ulur mbi krevat në anën e tij, i drejtuar i tëri nga Hysniu, me dorë të vënë para për të mbështetur trupin, ku dukej se fliste me dashamirësi të madhe, apo më mirë të them se dukej se sikur i fliste me një dashamirësi të madhe për ta bindur që të shkonte me patjetër në Paris për të bërë kurimin dhe ndërhyrjen për sëmundjen që kishte, ndërkohë që Hysniu reagonte me mosbindje duke i thënë: ‘Jo, unë e di që bëhen këtu, s’kam pse të shkoj në Paris’. Por ishte një skenë që të emociononte se qanin të dy teksa flisnin. Pra Hysniu gjysmë i shtrirë dhe Mehmeti në buzë të krevatit, qanin të dy”, citohet Vito Kapo në GSH.
TEMA
Add new comment