Vijojnë problemet nga moti i keq

Postuar në 11 Dhjetor, 2012 02:55

Moti i keq, i shoqëruar diku me reshje bore e diku me reshje shiu, ka shkaktuar një sërë problemesh në disa akse rrugore të vendit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Kështu, në komunën Pogon të Gjirokastrës lëvizja e automjeteve mund të bëhet vetëm me zinxhirë, njoftojnë autoritetet lokale.

Po ashtu, e njëjta këshillë sugjerohet edhe nga autoritetet e Përmetit, të cilat i drejtohen kryesisht drejtuesve të automjeteve të tonazhit të rëndë.

Ndërkohë, në Qafën e Muzinës janë regjistruar një seri rrëshqitjesh të automjeteve për shkak të ngricave të krijuara në rrugë, por për fat të mirë pa pasoja serioze.
 

 

Ulja e temperaturave si dhe reshjet kanë bërë që edhe shumë komuna të tjera në zonat malore të përballen me vështirësi.

Në aksin rrugor Morinë-Tuneli i Kalimashit është i detyrueshëm kalimi me zinxhirë, po ashtu edhe në akse të tjera nacionale.

Një ditë më parë raportohej për bllokimin e automjeteve në Qafë Plloç, përgjatë aksit Pogradec-Korçë. Drejtuesit e mjeteve mbetën të bllokuar për më shumë se 3 orë në rrugë, ndërsa apeluan që policia të marrë masa.

Në lidhje me situatën e krijuar atje, policia deklaroi se edhe në këtë aks lëvizja e mjeteve është e vështirë për shkak të ngricës që ka sjellë bllokimin e qarkullimit.

Policia këshilloi drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes në Qafën e Qarrit, Qafë Plloç dhe Qafë Thanë pasi trashësia e dëborës është e konsiderueshme.

Situatë e rënduar paraqitej deri dje edhe në zonën e Korçës, ku temperaturat kanë zbritur në minus. Mësohet se pavarësisht ngricës dhe akullit në rrugë, akset janë të kalueshme me zinxhirë.

Probleme raportohen edhe në Kukës e Pukë, ku përveç uljes së temperaturave, banorët po përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike.

Një defekt në linjën e tensionit të lartë Fierzë-Fushë Arrëz ka lënë pa energji elektrike prej dy ditësh Pukën, Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Specialistët deklarojnë se po punohet për riparimin e defektit.

 

TCH

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.