Vendimi i KQZ-së, Oketa: Sulm politik i PD-së ndaj FRD-së

Partia Fryma e re Demokratike reagoi sërish për vendimin e KQZ-së, që përjashtoi kandidaten Brikena Zeneli për zgjedhjet e Bashkisë së Korçës. Në një prononcim për mediat,përfaqësuesi i FRD, Gazmend Oketa akuzoi Partinë Demokratike se me aktin e djeshëm iu largua çdo parimi demokratik.
Oketa deklaroi se: “Partia demokratike nuk ka pësuar asnjë ndryshim, as në stil as në qëndrim, si para ashtu dhe pas zgjedhjeve, dhe se akti i fundit ndan përfundimisht vijën dhe objektivat e dy forcave politike. Ne ndahemi në filozofi, bashkëpunimin me PD-në e shoh si tepër të vështirë”.
Ish-deputeti i PD-së nënvizoi se: “Dje KQZ, që punon me vetëm katër anëtarë nga shtatë që duhej të kishte, vendosi të zbatojë urdhërin politik të PD-së për të hedhur poshtë vendimin e KZAZ Korçë, dhe larguar nga gara për zgjedhjet për Bashkinë Korçë, kandidaturën e FRD-së, Brikena Zeneli. Me këtë akt primitiv, KQZ e PD-së, dhe PD-ja e KQZ-së, nuk bëjnë gjë tjetër veçse një sulm politik jo vetëm ndaj një force politike të qendrës së djathtë, por bëjnë një sulm ndaj pluralizmit politik në Shqipëri”.
Oketa njoftoi se FRD do të ndjek të gjitha proçedurat e parashikuara në Kodin Zgjedhor, duke ankimuar vendimin e KQZ, pranë kolegjit zgjedhor.
Mapo
Add new comment