Veliaj në Fier: Një qendër e re sociale për të moshuarit

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zgjodhi Shtëpinë e të Moshuarve në Fier për kaluar 1 Tetorin, Ditën Ndërkombëtare kushtuar të moshuarve, të cilëve gjeti rastin t’u premtojë një qendër të re sociale. Në këtë aktivitet, Ministri Veliaj u shoqërua edhe nga Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, Drejtori i Përgjithshëm i AMC-së, z. Dimitris Blatsios, si dhe Drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve, znj. Vasilika Mëngjezi.
Pasi uroi të moshuarit për festën, Ministri Veliaj vuri në dukje se të moshuarit e sotëm kanë dhënë një kontribut shumë të madh për vendin tonë. “1 tetorin tjetër do ta festojmë në një vend më të madh, ku do të kemi shërbime më cilësore, më shumë staf dhe një qendër për të gjithë të moshuarit e jugut, pasi lista e kërkesave është jashtëzakonisht e madhe”, iu drejtua të moshuarve z. Veliaj. Ai nënvizoi se qeveria shqiptare do të inkurajojë operatorët privatë që të ofrojnë një shërbim shumë cilësor dhe të certifikuar edhe në institucione private. Por, pa harruar se detyra kryesore e shtetit është që të kërkojë alternativa më të mira e më cilësore për institucionet që ka në varësi.
“Arsyeja pse mblidhemi në ditë të tilla është për t’i thënë njëri-tjetrit Faleminderit! Ne jemi dëshmitarë të kontributit që kjo gjeneratë dha gjatë luftës, e sidomos për ndërtimin e vendit. Ne të rinjtë duhet të kuptojmë se asgjë nuk fillon nga zeroja. Gjithçka që kemi sot është ndërtuar nga dikush më parë; çdo të drejtë që kemi sot, është luftuar nga dikush më parë. Ndaj unë besoj se çdo ditë duhet të jetë një ditë mirënjohje për të moshuarit”, tha Ministri Veliaj. Nga ana tjetër, ai u shpreh mirënjohës ndaj kompanisë AMC, e cila me projektet e saj e ka mbështetur vazhdimisht moshën e tretë. “U jam mirënjohës kompanive që e kthejnë kokën mbrapa dhe që e kuptojnë se jemi pjesë e një cikli njerëzor, ku të gjithë duhet të kontribuojmë për të moshuarit”, vijoi ai.
Ndërkaq, Kryetari i Bashkisë së Fierit, z. Baftjar Zeqaj, u shpreh se kujdesi social për të moshuarit nuk duhet dhënë vetëm në një ditë si kjo e sotmja. Sipas tij, të kujdesesh për ta, është detyrë e shoqërisë dhe e shtetit. “Ne do të punojmë me programe dhe projekte të veçanta bashkë me Ministrinë, për të plotësuar nevojat e të moshuarve”, shtoi ai.
Qendra e të Moshuarve në Fier ka 60 të moshuar nën kujdesin e saj. Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 1 Tetori është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.
Dita
Add new comment