Vatikani mohon thashethemin për homoseksualët

“Janë “thashetheme” dhe “shpifje””, tha zëdhënësi për lajmin e medias italiane të ditës së premte
Zëdhënësi kryesor i Vatikanit kritikoi median për raportimin e lajmeve “keqinformuese” mbi kishën. At Federico Lombardi tha se disa po përpiqen të përfitojnë nga një periudhë dizorientimi në Kishën Katolike për të përhapur “thashetheme” dhe “shpifje”. Ai i bëri këto komente në një editorial në faqen e internetit të radio Vatikanit.
Papa Benedikt XVI do të dorëzojë funksionet e tij ditën e enjte. Ai është i pari Papë në më shumë se 600 vjet që ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i tij habiti shumë njerëz në të gjithë botën.
Gjatë ditëve të fundit në median italiane dhe atë ndërkombëtare ka pasur artikuj që kanë folur për intriga dhe korrupsion në kishë. Ndryshe nga më herët, që artikuj të tillë kanë dalë përgjithësisht në median spekulative, kësaj here edhe media kryesore është marrë me këto tema.
“Presion i papranueshëm”
Një raport i pakonfirmuar në një nga gazetat më të rëndësishme të Italisë, “La Repubblica”, sugjeroi se Papa ka dhënë dorëheqjen menjëherë pasi iu dha një dosje e detajuar mbi punën e priftërinjve të Vatikanit që “qenë të bashkuar nga orientimi seksual” dhe që po shantazhoheshin nga jashtë kishës.
Pa u dhënë besueshmëri akuzave apo pa iu referuar raportit në mënyrë specifike, zëdhënësi i Vatikanit tha se ata që e vendosin veten në rolin e gjykuesit nuk kanë autoritetin për ta bërë diçka të tillë.
“Çfarëdo që të ishte në mendjet e tyre, paraja, seksi apo pushteti, ata e shohin botën përmes këtyre parametrave dhe nuk mund të shkojnë më tutje, madje edhe kur shikojnë kishën”, tha ai. “Këndvështrimi i tyre nuk ka dot lartësinë dhe thellësinë e nevojshme për të kuptuar dimensionin shpirtëror dhe motivet e ekzistencës”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, Papa emëroi tre kardinalë në pension për të kryer një hetim mbi një skandal të njohur si “Vatileaks”. Ish-shërbyesi i Papës, Paolo Grabriele, u dënua dhe më pas u fal për vjedhjen e dokumenteve nga zyra e Papës.
Duke iu referuar konklavës së ardhshme, gjatë së cilës udhëheqësi i ri i Kishës Katolike do të zgjidhet, At Lombardi sugjeroi gjithashtu se media “po ushtron presion të papranueshëm për të detyruar zgjedhjen e një anëtari apo një tjetri nga kolegji i kardinalëve”.
Korrespondenti i BBC për Vatikanin, David Willey, thotë se kjo është ndoshta për të diskurajuar kardinalët amerikanë që akuzohen se kanë mbuluar abuzimet seksuale nga klerikët, në mënyrë që kardinalët të mos udhëtojnë për në Romë dhe të marrin pjesë në votim.
SHQIP
Add new comment