VALLËZIMI NË BALLKAN

Postuar në 11 Maj, 2013 02:42

 

Ramush Haradinaj është një burrë i kontradiktave: I dëshmuar si trim në luftë, më vonë i akuzuar për krime lufte dhe më pas i liruar i pafajshëm ai dëshiron të bëhet kryeministër i vendit. Kështu e nis reportazhin për Kosovën gazeta prestigjioze gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ai është fëmija i tij. Rreth njëqind veta janë mbledhur në një lokal në periferi të Prishtinës, të ftuar nga nikoqiri i cili feston ditëlindjen e fëmijës së parë parë. As edhe një grua nuk shihet brenda. Çdo pesë minuta njëri nga mysafirët ngrit dolli me gotën e mbushur me raki, birrë apo verë të kuqe, për shëndetin e tij. Në pjata shpërndahet mishi i pjekur. Disa nga specialitete janë me shumë mëlmesa, kurse shume syresh janë aq pikante sa kur i han të shkaktojnë lot.

Këngët heroike me çifteli

Këngëtarët kanë të veshur këmisha të bardha dhe frizura të ngrira me gjel. Ata interpretojnë këngë të forta trimërie me çifteli e sharki për heronjtë e luftës. Bekoje zot çiftelinë, që nuk mund ta zëvendësojë as një instrument tjetër, e këngëtarët nuk kanë nevojë për mikrofon. Të gjitha këngët e tyre janë për fitoret në beteja.

Tani fillojë të vijnë mysafirët, njëherë më pak e më pas numri i tyre sa vjen e shtohet. Duket se të gjithëve u pëlqen kjo këngë. Vetëm njeriu ulur pranë meje nuk këndon, sepse s’ka si të këndojë për veten e tij, thotë ai. Më mirë ta dëgjojë në heshtje dhe me modesti ulë sytë teposhtë. Kënga është një këngë trimëria dhe i kushtohet atij vetë.

Ramush Haradinaj është politikan, kryetar i partisë së themeluar nga ai, Partisë AAK, shef i partisë opozitare në parlamentin e Kosovës. Askush nuk dyshon se ai do të jetë kryeministri i radhës në zgjedhjet e ardhshme për të dytën herë pas vitit 2005, vit ky kur pas njëqind ditë të qeverisjes, me vullnetin e tij u dorëzua në Tribunalin e Hagës në një proces gjyqësor të ngritur kundër tij nga Gjykata Penale e ngritur për ish Jugosllavinë. Akuza ishte për krime lufte, krime kundër njerëzimit, ndërsa akuzohej edhe për torturime e vrasje. Dhe vetëm në nëntorin e vit të kaluar, përfundimisht, ai lirohet i pafajshëm nga të gjitha pikat e aktpadisë.

Për qeverinë e kryeministrit Thaçi, shumëkush në Kosovë thotë se është “OK“: Kjo është shkurtesa për krimin e organizuar (gjermanish: organisierte Kriminalität). Kosova po cilësohet si bastion i korrupsionit, i tregtisë me armë, drogë, organe dhe prostitucion. Pjesa më e madhe e elitës së këtij vendi të vogël thuhet se është e ngatërruar me krimin. Për disa Ramush Haredinaj është njeriu i vetëm që mund t’ia dalë t’i jap fund kësaj batërdie. Të tjerët thonë se edhe ai vetë është i zhytur deri në fyt në kontrabandën me drogë Haradinaj sipas një artikulli të vendosur në Wikipedia në gjuhën gjermane përmendet si drejtues i një klani i cili është i ngatërruar në krimin e organizuar.

Artikulli thirret në një raport të fshehtë të shërbimit federal gjerman të sigurimit BND. Zëdhënësi i BND – së i pyetur për këtë, refuzon me politesë të bëjë çfarëdo lloj komenti, por le të kuptojë se bëhet fjalë për një temë shumë delikate. Javën tjetër Haradinaj do të vizitojë Berlinin. Ai do të pritet në Ministrinë e Jashtme dhe në Zyrën e kancelares gjermane.

Çka do të mendojnë politikët gjermanë kur do ta kenë përpara dhe do të flasin me Ramusah Haradinajn? Me ish-luftëtarin e UÇK-së i cili në fund të shekullit të kaluar luftoi si një komandant i UÇK-së kundër trupave ushtarake serbe shumë herë më të fuqishme – njeriu që në vendlindjen e tij konsiderohet hero? A do të shohin tek ai kreun e krimit të organizuar të një vendi në një qoshe të Evropës, apo tek ai do të shohin kryeministrin e ardhshëm të këtij vendi të vogël të Ballkanit, i cili një ditë ndoshta jo të largët do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Ramush Haradinaj – Figura e një shpëtimtari?

Ndoshta te Ramush Haradinaj ata do të shohin para së gjithash luftëtarin që ka tejkaluar të shkuarën dhe është transformuar në një evropian të bindur, një post-nacionalist dhe politikan reformator, i cili atyre do tu premtojë raporte stabile në Kosovë. Raporte fqinjësore me Serbinë dhe instalimin e llogaridhënies në politikën e Ballkanit, dhe me këtë një bazament për rindërtimin e vendit të tij të vogël, i cili është përplot me thesare nëntokësore dhe në dëshpërim po pret investitorët e huaj.

“Çfarë është bërë në katërmbëdhjetë vitet e kaluara që nga përfundimi i luftës?“ pyet Haradinaj „Gati asgjë. Vendi im nuk mund të presë më gjatë. Shkoni në Obiliq dhe do ta kuptoni se çfarë po mendoj. Do të ktheheni në të kaluarën.“

A nuk po jeton e tërë Kosova në të kaluarën?

“Po dhe jo“, thotë Haradinaj. “Ky vend është i vogël, por i komplikuar. Nëse doni të kuptoni duhet t’i vizitoni disa prej vendeve“.

Para se të shkojmë në Obiliq takojmë Donika Kadaj-Bujupi. Ajo është kandidate kryesore për postin e kryetarit të komunës së Istogut. Ajo nuk ishte e ftuar në festën e mikut të tij partiak. “Pasi që nëna e foshnjës kur lind për shkaqe shëndetësore nuk mund të marr pjesë në festime, kjo është arsyeja që nuk kemi ftuar gra në këtë festë” më kishte sqaruar Haradinaj kur e kisha pyetur për mungesën e grave në festën e lindjes së fëmijës. Sidoqoftë, qëndrojmë të ulur pran oxhakut në selinë e partisë dhe Donika na flet për programin e saj zgjedhor

Lufta kundër korrupsionit

Istogu është një vendbanim shumë simbolik: Aty ka lindur Ibrahim Rugova, i cili deri më tani konsiderohet si një lloj babai i kombit. Nëse Donika do të fitojë zgjedhjet në Istog, ajo do të ishte kryetarja e parë femër e një komune në Kosovë, ndonëse në Parlamentin e Kosovës pjesëmarrja e femrave është mbi 30 për qind.

Si ndodh kjo? Donika qeshet. “Në Parlament kemi një kuotë për pjesëmarrjen e fermave, kurse në politikën e komunave jo. Në Kosovë ka edhe shumë gjera që duhet të ndryshojnë. Na jepni kohë“, thotë ajo.

Tema më e rëndësishme e Donikës është lufta kundër korrupsionit: „Unë do të kujdesem që të gjitha kontratat dhe tenderët që do të jepen nga komuna, të shpallen online. Nuk kemi nevojë asgjë më shumë se transparencën. Shikoni se çfarë ka ndodhur me sipërmarrjen tonë të KEK-ut. Askush nuk di asgjë për kontratën që ka lidhur Qeveria me investitorët turq, por edhe sikur të jenë të saktë vetëm disa nga detajet që fliten në opinion, disa njerëz tani do të duhej të ishin në burg“.

Kosova e pasur me qymyr, e megjithatë e varfër

 

Udhëtimi në Obiliq në zemrën e së kaluarës zgjatë gjysmë ore. Gjendemi në mes të një zonë industriale me eskavatorë gjigandë e shirita transportues. Makineritë e KEK-ut ngjajnë me një gërmadhe. Një rrënojë industriale e lënë shkret. Megjithatë, ato dy termocentralet „Kosova A“ dhe „Kosova B“ nuk janë të fikur, ndonëse duken ashtu. Kosova ka rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë kurse ka qenë vendi më i varfër në ish Jugosllavi. Sot katërmbëdhjetë vjet pas luftës, banorët e saj janë të traumatizuar sepse niveli i papunësisë tejkalon mbi 40 për qind, kurse paga mesatarja nuk kalon mbi 300 Euro.

Mbretëria e ndryshkut sundon ambientin

Në Obiliq mund të prodhohet energji e mjaftueshme për furnizimin e të gjithë Ballkanit. Por teknologjia e vjetër e viteve 70-ta është e pashpresë. Përditë ka ndërprerje të dritave, kurs në dimër furnizimi bëhet sipas një ritmi dy orë me drita, katër pa to. Në ambientet e KEK-ut sundon ndryshku, ndërsa syri nuk zë asnjeri. Të vetmit që na shoqërojnë janë një kope e qenve endacakë!

Dukagjini – një qendër e kryengritjes kundër serbëve

Ditën tjetër do të udhëtojmë drejt Dukagjinit. Zgjohemi herët në mëngjes. Pas një orë udhëtimi, Haradinaj ndalon makinë e blinduar në një kodër. Zbresim dhe hedhim vështrimin në rrafsh. Dukagjini ka qenë njëra nga qendrat e rezistencës kundër Serbisë “E shihni atë kodrën atje? Në majën e saj kanë qenë të stacionuara trupat serbe. Nga atje ata kontrollonin gjithë rrafshinën dhe mund të shtinin me armë në të gjitha anët”.

Ai i thotë emrat e të gjitha vendbanimeve e bjeshkëve. Sqaron në largësi ku fillon kufiri me Shqipërinë dhe ku kufiri me Malin e Zi. Lavdëron bukurinë e bjeshkëve të larta deri në tre mijë metra, ndërsa i bie me këmbë një qese mbeturinash që të rrethojnë kudo që shkon nëpër Kosovë. „E shihni: mbeturina, bërlloku në të gjitha anët kudo që të shkosh. Këtij vendi po i zihet fryma nga mbeturinat, ai ndodhet në çdo qoshe, në çdo rrugë. Ne nuk mund të ndërtojmë fabrika për automobila as të konkurrojmë teknologjinë informative të Koresë jugore, por kush na pengon të pastrojmë vendin nga këto mbeturina, nga ky bërllok që po na zë frymën. Kush na ndalon të vendosim rregull në këtë vend? Besoj se askush nuk na pengon për këtë. Thjesht ne mundemi dhe duhet ta bëjmë këtë. Dikush duhet t’ia fillojë kësaj pune“.

Blegtorët e Dukagjinit kanë humbur 90 për qind të bagëtisë së tyre në luftë. Shumica e shtëpive të banimit kanë qenë të djegura, apo të shkatërruara . Fabrikat e Gjakovës që përpara ofronin vende pune për 24 000 punëtorë ishin kthyer në shkrumb e hi nga ushtria serbe. Por për këto Haradinaj nuk flet. Ai flet për vetiniciativë dhe përgjegjësi që duhet marrë banorët dhe jo për këtë gjendje të bëjnë fajtorë të tjerët.

Bashkëpartiakja e tij, Donika Kadaj Bujupi na kishte thënë se popullata në Kosovë është lodhur nga politikanë që kanë premtuar dhe nuk kanë realizuar asgjë nga premtimet. Fjalët e Haradinajt nuk tingëllojnë si premtime, por më shumë si paralajmërime dhe zotime.

Çdo i dyti kosovar është 25 vjeçar, por ai jeton në një shoqëri me rituale kanunore ku çmohet nderi dhe kodet e traditës. Se sa është i lidhur vetë Haradinaj me këto tradita, do të dëshmohet, por ai tani flet si një politikan reformator. Po çfarë do të bënte së pari Haradinaj nëse ai zgjidhet kryeministër i vendit? „Së pari do t’i shpall luftë mbeturinave që kanë mbuluar vendin tim. “Haradinaj flet shumë për rregullin që dëshiron ta vendos. „Të vendosim rregull, të riparojmë, të rindërtojmë, të rrisim ekonominë, të funksionalizojmë administratën“ ky është fjalori i Haradinajt.

Ai flet sikur dëshiron të bëhet një mekanik që rregullon vendin e vet dhe jo një kryeministër. „Nuk është vështirë të mos e hedhesh berllogun kudo. Kjo është çështje e mendësisë së njerëzve. Vërtetë ai dëshiron ti ndryshojë mentalitetin një vendi të tërë? „ Po duhet ta bëjmë këtë, sepse nuk ka rrugë tjetër“ Shkrimtari Beqë Cufaj thotë se Kosova është vendi më i vogël në Evropë, por laboratori më i madh në Evropë“

Pragmatizmi dhe politika simbolike

 

Fushata kundër mbeturinave do të zgjasë 30 ditë dhe do të fillojë që në ditën e parë të qeverisjes Haradinaj „Do të dalë vetë në aksion për të mbledhur mbeturinat dhe do të kujdesëm që këtë ta bëjnë edhe të tjerët. Pas këtyre tridhjetë ditëve vendi do të duket më ndryshe. Çdokush duhet ta shohë se gjërat mund të ndryshojnë“. Heroi i luftës si mbledhës mbeturinash?!. Më mirë se kështu nuk mund të bashkohen në mënyrë kaq të rafinuar pragmatizmi dhe simbolizmi politik . Por kjo nuk mjafton që Haradinaj të konsiderohet si njeriu i duhur për nxjerrjen e vendit nga korrupsioni dhe gjendja e rënde ekonomike ku është futur . Po si ndodh që ai vet edhe më tej të ndërlidhet me korrupsioni dhe krimin?

Luftimi i korrupsionit nga lart poshtë

Haradinaj është një njeri plotë mirësjellje, i edukuar dhe i përzemërt, di të jetë i përmbajtur. Me qetësi, ai përgjigjet se akuzat për korrupsion ndaj tij janë gënjeshtra ashtu siç ishte procesi i Hagës kundër tij. „Korrupsioni nuk mund të luftohet nga poshtë - lart por nga lart - poshtë. Kur në gjithë qeverinë të mos ketë korrupsion, kur qeveria të luftojë korrupsionin dhe për këtë jep shembuj të mirë, atëherë lufta kundër korrupsionit është e fituar“. Duhet dhënë shembull, duhet qeverisur me ligje të forta, duke shpërblyer ata që punojnë dhe dënua ata që vjedhin dhe nuk punojnë“

Sakrifica e një familje

Qëndrojmë në shtëpinë e Hardinajve në Deçan. Në komunë ka pasur 22 kulla tradicionale si të ishin kështjella. Serbet i kanë shkatërruar të gjitha në mënyrë sistematike, sepse kullat kanë qenë simbole të qëndresës historike. Aty brezat janë edukuar në frymën e shpirtit luftarak dhe patriotizmit për qindra vite me radhë dhe kanë shërbyer si frymëzim i rezistencës kundër okupimit shumëshekullor osman.

Haradinaj nga hiri i kullave të djegura ka rindërtuar një kullë të re e cila është shndërruar në monument në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, aty ku janë të varrosur shumë kushërinj dhe vëllezër të tij të rënë në luftë kundër ushtrisë serbe. Përbri varrezave të dëshmorëve, kulla qëndro si premtim dhe garanci se dëshmorët e rënë për liri nuk do të harrohen kurrë.

Luftë kundër osmanëve, lufta kundër serbëve, dëshira për pushtet e klaneve familjare, ligjet e gjakmarrjes dhe bujaria e mikpritja tradicionale për mikun, të vrarët e të zhdukurit, e kaluara e cila ende nuk është e kaluar dhe e ardhmja që më nuk mund të presë. Të gjitha këto të përmbledhura në një vend, veprojnë si një mekanizëm shytës. E ne qëndrojmë edhe për njj moment aty dhe pastaj shkojmë brenda ku na pret familja dhe dreka e shtruar për ne.

Në mbrëmjen tjetër qëndroj ulur me dy shkrimtarë në një restorant. Beqë Cufaj flet për shpresat që i mbështet tek Haradinaj. Basri Qapriqi kryetar i Pen-qendrës kosovare përkundrazi është skeptik. Ai nuk beson se Haradinaj është vetë i korruptuar, por thotë se në partinë e Haradinajt ka njerëz që janë të korruptuar, që janë pasuruar shumë shpejt dhe pa mundi brenda natës „Ndoshta Haradinaj ka vërtetë vetëm qëllime të mira“ thotë ai. „Por unë jam pak i brengosur kur shoh këta njerëz të mëdhenj që me dorë të fortë duan të bëjnë më të mirën për vendin e tyre. Veçanërisht këtu unë kam frika prej këtyre liderëve të lindur, sepse ju nuk duhet të harroni një gjë miku im: Ne jetojmë në Ballkan”. /rtk/

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.