Tregtarët e Tiranës: Jo vetëm ka rënë ndjeshëm xhiroja, por na mbytën gjobat

Partia Socialiste ka rifilluar takimet intensive me sipërmarrësit e vegjël në Tiranë. Kryetari i kësaj partie, njëkohësisht deputeti socialist, Saimir Tahiri, i shoqëruar edhe nga drejtues vendorë të PS-së në Njësinë Bashkiake nr.6 ka zhvilluar një seri takimesh me tregtarë dhe biznesmenë të vegjël në Tregun Ushqimor të Qytetit të Nxënësve, i njohur ndryshe edhe si tregu i shitjes me shumicë.
“Më keq s’ka ku shkon më. Dobët shumë. Krahasuar me vitin e kaluar është shumë më keq. S’ka punë fare, sepse s’ka fuqi blerëse. Me gjobat po na mbysin fare. Nuk dimë si t’ia bëjmë”, thotë një burrë i thinjur rreth të 50-ve, i cili i tregon deputetit edhe fletën më të fundit të gjobës, e cilës veç stemës së Republikës ka edhe simbolin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Tregtari ankohet se megjithëse e ka paguar detyrimin, sërish është penalizuar pa të drejtë nga administrata tatimore. Në një tjetër pikë shitjeje të produkteve ushqimore një grua i thotë deputetit socialist: “Më mirë ta lëmë fare, se punë s’ka fare. Po na skadon malli, nga që nuk ka punë. Nuk kanë lekë njerëzit që të blejnë. Fuqia blerëse është jashtë mase e dobët. Për vit të ri, njerëzit vinin dhe blinin nga një ose dy kanoçe pijesh, se kaq mundësi kishin”.
Pak më tutje kryetari i PS-së së Tiranës, hyn në një bar të vogël, ku një djalë i ri që menaxhon lokalin tregon gjendjen në të cilën ndodhet. “Çdo vit edhe më keq. Ndërsa ky i sivjetmi duket edhe më keq akoma. Për momentin janë ngritur akcizat, dhe akciza për pijet alkoolike, janë ngritur tatimet dhe pse u premtua e kundërta, ndërsa çmimet që ne ofrojmë janë të njëjtat. Kështu që për ne si biznes kjo është një barrë shumë e madhe, e papërballueshme”.
Nga ana e tij deputeti socialist ka ripërsëritur vendosmërinë e PS që me të ardhur në pushtet të heqë taksën e biznesit të vogël dhe ta trajtojë këtë kategori të sipërmarrjes si një partner, që duhet përkrahur dhe jo një shtresë që i duhet marrë fryma me taksa dhe gjoba abuzive. Sipas Tahirit heqja e taksës së biznesit të vogël do të krijojë energji financiare të shtuara për biznesin e vogël, për të hapur vende të reja pune, për të përmirësuar gjendjen e ekonomike të familjeve që mbahen me këto biznese të vogla, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.
“Për ne ky partneritet nis këtu. Është shumë e rëndësishme që ju të kuptoni që dy realitete s’mund të vazhdojnë. Ca biznese që janë biznese të preferuara të qeverisë, e cila i majm e i fryn pse i ka në oborrin e vet dhe më pas 95% e bizneseve e të qytetarëve që rropaten për bukën e gojës dhe nuk ia dalin në fund. Sot dështojnë qytetarët prandaj ka rënë fuqia blerëse, qeveria nuk ka krijuar vende të reja pune dhe ndaj e ka zhytur dhe ekonominë, ndërkohë dështon dhe sipërmarrja sepse s’ka fuqi blerëse, ndaj duhet ta fillojmë fillimisht duke iu lehtësuar ju, duke krijuar mundësi për qytetarët”, ka theksuar deputeti socialist, Saimir Tahiri.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Partia Socialiste ka këmbëngulur fort në parlament, gjatë diskutimit të Paketës Fiskale për të hequr apo ulur një sërë taksash, që do të ndikonin drejtpërdrejt në rivitalizimin e ekonomisë. Heqja e taksës së biznesit të vogël ishte një nga propozimet kryesore të PS-së, të cilin mazhoranca qeverisëse e rrëzoi me forcën e kartonëve, duke demonstruar kështu dhe njëherë mungesën e vullnetit për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, që po përjeton krizën më të thellë, që nga ndryshimi i sistemit politik në vend, 22 vjet më parë.
TEMA
Add new comment