Tragjedia e Gërdecit, nesër vendimi i Apelit për 29 të pandehurit

Ditën e nesërme, në orën 15, Gjykata e Apelit pritet të japë vendimin përfundimtar për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, ku nga shpërthimi i një fabrike të demontimit të armëve në Gërdec, më 15 mars 2008, humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë. Vendimi pritet të shpallet nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.
Vendimi i Apelit ishte parashikuar disa ditë më parë, por u shty nga kjo gjykatë për më 13 shkurt me pretendimin se dosja ishte shumë voluminoze dhe komplekse, prandaj nevojitej më tepër kohë për t’u njohur me të.
Të pranishëm në seancë pritet të jenë edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008, të cilët e kanë ndjekur procesin si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel.
Ndryshe nga zvarritjet në Shkallën e Parë, në Gjykatën e Apelit dosja “Gërdeci” u gjykua në kohë rekord brenda pak muajve.
Nga ana e saj, prokuroria i kërkon gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”, dhe vetëm për Lavdi Shatron të tërhiqen aktet.
Ndërkohë, të gjithë avokatët e të pandehurve gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë këmbëngulur për pafajësi, si dhe kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë, ku pjesa dërrmuese e tyre janë dënuar.
SHQIP
Add new comment