Trafik njerëzish me firmë të ministrit

Si u pajisën me vizë amerikane 3 persona. Nota verbale e Kserës për ambasadën dhe pagesa 30 mijë euro për person
3 persona - Dyshohet se kanë emigruar në SHBA, si “punonjës” në Ministrinë e Punës. Ata ishin dy meshkuj dhe një femër nga Elbasani, të cilët nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin
30 mijë USD - mund të kenë paguar secili nga tre klandestinët që shkuan në SHBA. Ata gjetën një aktivitet nga një shoqatë në Amerikë dhe shkuan për t’u “trajnuar”
1 notë verbale - Dyshohet se ka firmosur ish-ministri i Punës, Spiro Ksera, për ambasadën amerikane, të cilës i kërkohej të pajiste me vizë tre persona, “punonjës” të ministrisë
Sokol Çobo
Kleves Bitro & Spiro Ksera
Trafiku i klandestinëve, për të cilin mazhoranca e re është zotuar se do e luftojë me të gjitha mjetet, është kryer nga zyrat e shtetit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Hetimet e fundit të prokurorisë për abuzimet me detyrën në Ministrinë e Punës, kanë zbuluar fakte skandaloze, sesi tre persona u punësuan fillimisht si specialistë në këtë ministri dhe më pas u pajisën me vizë amerikane për një trajnim. Ka dyshime janë paguar rreth 30 mijë euro për person për të shkuar në SHBA, ndërsa akuza ende nuk i ka gjetur për t’i pyetur, pasi rezultojnë në emigracion, në të zezë.
Skema
Po si ka funksionuar ky trafik klandestinësh nga zyrat e shtetit? Gazeta Shqip ka mësuar nga Prokuroria e Përgjithshme se gjithçka ka filluar rreth dy vite më parë. Tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të gjithë nga Elbasani, janë “punësuar” në Ministrinë e Punës. Nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se askush nuk kishte lidhje me njëri-tjetrin, pavarësisht se ishin banues në Elbasan. Ata u punësuan specialistë të thjeshtë në Ministrinë e Punës, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Spiro Ksera. Akuza ka provuar punësimin e shkurtër të tyre, në bazë të dokumenteve të marra së fundmi, pasi ish-drejtuesit e kësaj ministrie nuk pranonin të bashkëpunonin. Disa muaj më pas, kanë filluar procedurat për dërgimin e tyre në SHBA, siç ishte edhe plani fillestar. “Punonjësit”, apo zyrtarët e ministrisë së Punës, kanë filluar punën për të gjetur ftesat për një trajnim në Amerikë. “Nga verifikimet e Njësisë Task-Forcë në Tiranë, ka rezultuar se drejtuesit e Ministrisë së Punës kanë gjetur një aktivitet në SHBA, i organizuar nga një shoqatë. Kjo shoqatë, asnjëherë më parë nuk ka pasur korrespondenca me Ministrinë e Punës Shqiptare”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, ky angazhim i madh i zyrtarëve të ministrisë ka ardhur si pasojë e shpërblimeve të majme që do të jepnin personat që do të shkonin në SHBA.
Pajisja me vizë
Prokuroria ka faktuar edhe mënyrën e pajisjes me vizë amerikanE për këta tre persona. “Ka dyshime se ish-shefi i Kabinetit në Ministrinë e Punës, Kleves Bitro, ka qenë ideatori i këtij trafiku klandestinësh. Ai ka kryer të gjitha procedurat për marrjen e tyre në punë, apo ka influencuar te zyrtarët e tjerë, ndërsa ka përpiluar edhe një shkresë informuese për ministrin e Punës, Spiro Ksera, për dërgimin e tyre në SHBA”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Më pas, ka sërish dyshime për grupin hetimor, se Bitro ka përpiluar nga kompjuteri i tij, tashmë i sekuestruar, një notë verbale për Ambasadën Amerikane në Tiranës, duke iu dërguar tre emrat të cilët do të pajiseshin me vizë. Më pas, kjo notë verbale i është dërguar për firmë ministrit Ksera, i cili, sipas akuzës ka firmosur.
Roli i ministrit
Për Prokurorinë e Përgjithshme, ende nuk është saktësuar roli i ministrit Spiro Ksera, në këtë çështje. “Kemi prova se ministri Ksera ka firmosur në këto dokumente. Por, ende nuk kemi konfirmuar nëse ky zyrtar mund të jetë mashtruar apo gënjyer nga vartësit e tij dhe se nuk ka pasur dijeni për këtë fakt. Gjithsesi, në ditët në vijim, z.Spiro Ksera do t’i dërgojmë një fletëthirrje për dëshmi, si person që ka dijeni për një vepër penale, pasi ka firmosur disa dokumente”, vijojnë burimet nga akuza qendrore, sipas së cilave, nën hetim, për këtë abuzim, janë marrë disa persona, të njëjtë me tetë personat ndaj të cilëve janë marrë masa shtrënguese.
Ryshfeti 90 mijë USD
Hetimet e prokurorisë kanë avancuar edhe në aspektin e ryshfetit që është paguar për të shkuar në SHBA. Tre personat nga Elbasani dyshohet se kanë paguar afërsisht 30 mijë USD për person. Megjithëse është një shifër e lartë, akuza thotë se ky trafikim është bërë me komoditetet përkatëse, pasi tre “punëtorët” kanë hyrë legalisht në territorin e SHBA-së, për një kohë të shkurtër dhe të pajisur me viza. Rruga që do të kryenin me metoda të tjera do të zgjaste disa javë, apo muaj, ndërsa mund të kalonin nga shtetet fqinje të SHBA-së. “Nga verifikimet e kryera, apo edhe nga informacionet e marra nga disa punonjës apo ish-punonjës të ministrisë, është marrë informacion se tre personat kanë paguar afërsisht 90 mijë USD për të shkuar në SHBA. Kjo pagesë është bërë në formën e ryshfetit dhe grupi hetimor ka disa persona të dyshuar që mund të jenë përfituesit e kësaj shume”, pohojnë burimet nga akuza, sipas së cilëve, ende nuk ka informacion se ku kanë shkuar këta persona, pasi ata duhet të ktheheshin menjëherë pas trajnimit nga shoqata në fjalë. Prokuroria ka tentuar të komunikojë me familjarët, por deri më tani ende nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodhen tre personat që emigruan ilegalisht në SHBA, nëpërmjet Ministrisë së Punës.
Shqip
Add new comment