Topi në Orikum: Më 23 qershor fryma e re do të dominojë mbi frymën e vjetër

Fryma e vjetër nuk është në sintoni me qytetarët, u shpreh në një takim me banorët e Orikumit kryetari i FRD-së, Bamir Topi. Ai tha se 50% e qytetarëve nuk votojnë, pasi ata ndjejnë mungesën e kujdesit nga ana e shtetit dhe hipokrizinë e atyre që kanë monopolizuar jetën politike.
“Kryeministri e ka kthyer Kuvendin në një institucion që nuk i përfaqëson shqiptarët”, tha Topi.
Duke folur mbi zgjedhjet e qershorit, Topi tha se ky kod projekton zgjedhje të manipuluara, por asnjë lloj manipulimi nuk do t’i shpëtojë ata që duan të ruajnë me çdo kusht karrigen. Ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve të jenë më të drejtpërdrejtë dhe të ndërhyjnë për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë.
“Kryeministri duhet të ketë kurajë të pranojë situatën e vështirtë ekonomike në të cilën gjendet vendi,” tha kryetari i FRD-së, duke theksuar se qeveria ka marrë dy here borxh për të paguar administratën.
“Bizneset nuk kanë përparuar në sajë të kujdesit të munguar të shtetit. Mjafton të shikohen problemet që u shkaktohen atyre nga gjobat që vë administrata. Suksesi i FRD-së bazohet në harmoninë dhe unitetin e atyre që kanë shpresë”, tha Topi.
“Fryma Demokratike është tek njerëzit, mjafton që ajo të respektohet. Me 23 qershor fryma e re do të dominojë mbi frymën e vjetër”, u shpreh kryetari i FRD-së, sepse sipas tij, vendi ka nevojë për një perspektivë të re.
Ndërsa deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, vuri theksin mbi mungesën e investimeve nga qeveria për edukimin e fëmijëve, duke theksuar se kjo është një pengesë për ta, duke mos i lejuar të shpalosin aftësitë e tyre. Më 23 qershor, tha Oketa, të rinjtë do të marrin në dorë fatin dhe të ardhmen e tyre.
TEMA
Add new comment