Topi në Elbasan: Flamur Noka, një ordiner, por më ordiner është ai që e ka vënë ministër

Fryma e Re Demokratike nisi nga Elbasani prezantimin e programit të saj politik dhe ekonomik.
Kryetari Bamir Topi tha se ky program do e çojë FRD-në drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Kjo sallë e mbushur me njerëz që vijnë me dëshirë për të dëgjuar dhe jo e mbushur me punonjës administrate, është baza e forcës së FRD-së dhe garanci për të qenë një parti me psikologji fituese.
FRD lindi për të marrë në dorë dhe për të vazhduar misionin e tradhtuar nga PD dhe kryeministri aktual, i cili në mënyrë përfundimtare ju siguroj se e ka mbyllur kapitullin e tij politik. Më 23 qershor ai dhe shpura e tij është e detyruar të shkojë në opozitë dhe forcat e reja politike do të marrin në dorë drejtimin e vendi,” tha Topi.
“Qytetarët e Elbasanit edhe pse ndodhen në qendër të Shqipërisë, ndihen të harruar dhe të nëpërkëmbur se edhe këtu, vetëm një grup dhe klan i caktuar i pushtetit kërkojnë të marrin gjithçka për vete duke i lënë elbasanasit vetëm si kontigjent elektoral,” vijoi Topi.
Kryetari i FRD komentoi edhe situatën e kriminalitetit në vend, duke thënë se ministri i Brendshëm është një ordiner, por më ordiner është ai që e ka vendosur në atë post.
Ai u ndal më tej në paketën e ndryshime kushtetuese që FRD do të paraqesë së shpejti, duke nënvizuar bindjen e tij se pas 23 qershorit askush nuk do i shpëtojë drejtësisë.
“Duhet të jemi bashkë, sepse FRD ka ardhur me një mision të veçantë, të premtojë atë që do të bëjmë. Sipas të gjitha sondazheve, FRD del një forcë qeverisëse, por ndryshimin e vërtetë nuk e bën një grup njerëzish, por qytetarët e vërtetë që kanë vullnet për ta ndryshuar situatën,” tha Topi.
Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, falenderoi qytetarët elbasanas që me pjesëmarrjen e tyre në këtë tubim dhanë një mesazh pozitiv dhe mbështetës për FRD.
TEMA
Add new comment