Tiranë, pranga 4 të rinjve, grabitën me dhunë një taksi

TIRANE - Katër të rinj janë vënë në pranga të Policisë së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar "Taksisti", pasi pak ditë më parë kanë grabitur një automjet taksi.
Të arrestuarit janë Elonis Llapi 26 vjeç, me banim në Tiranë, Amarildo Rama 18 vjeç, me banim në Tiranë, Elton Halili, 18 vjeç, me banim në Tiranë si dhe 16 vjeçari me iniciale A.T
Sipas policisë, këta të rinj akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 5 tetor kanë vjedhur me dhunë nën kërcënimin e një arme të ftohtë, taksistin me iniciale A.L, duke i vjedhur forcërisht automjetin tip taksi me targë AA 593 JS, në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.
Pas hetimeve të kryera nga ana e oficerëve të policisë, është arritur të gjendet automjeti si dhe u bë identifikimi i autorëve.
Gjithashtu mësohet se policia po heton lidhur me dyshimet ndaj këtyre personave si autorë të disa grabitjeve të tjera. Ndërkohë materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për procedime të mëtejshme penale.
Add new comment