Thaçi takon Barroso dhe Van Rompuy

Postuar në 19 Shkurt, 2013 07:18

Komisioni Europian ka shprehur mbështetjen e plotë në vijimi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre si dhe lidhur me perspektivën europiane të Kosovës. 

Kështu ka deklaruar Presidenti i KE-së, Barroso në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Bruksel në kuadër të raundit të pestë të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash.

Barroso u shpreh i sigurt në perspektivën europiane të Kosovës, pavarësisht faktit se ka ende 5 shtete të BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kreu i BE vlerësoi progresin e bërë deri më tani nga Kosova, ndërsa premtoi se nëse Kosova arrin të plotësojë kriteret e kërkuara, në qershor të këtij viti do të bëhet i mundur nënshkrimi i MSA-së me këtë shtet.

Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi u shpreh se Kosova ka shënuar sukses të gjithanshëm, ndërsa premtoi se Qeveria e tij do të bëjë me shumë për të fituar besimin e qytetarëve në institucione. 

Thaçi takon Van Rompuy
Rezultatet e dialogut, jetike për të ardhmen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Bruksel edhe me presidentin e Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy. 

Sipas së përditshmes “Express”, gjatë takimit Thaçi ka falënderuar Van Rompuy për mbështetjen e bllokut, ndërsa ka theksuar përkushtimin e autoriteteve kosovare për konsolidimin e shtetit të Kosovës. 

Duke folur për takimin me Daçiç, Thaçi është shprehur, se qëllim i këtyre bisedimeve nuk është që Kosova dhe Serbia të mundin njëra-tjetrën, por të lëvizin përpara drejt integrimeve evropiane. 

“Besoj se në këto bisedime do të mbizotërojnë vlerat evropiane dhe ne do të kemi fqinjësi të mirë ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi. 

Ndërsa Van Rompuy, nga ana e tij, ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë kriteret afatshkurtra në lidhje me sundimin e ligjit, tregtinë, administratën publike dhe mbrojtjen e minoriteteve, si kusht për të avancuar në procesin evropian. 

Gjithashtu, zyrtari i lartë evropian e ka inkurajuar Thaçin që të tregojë konstruktivitet në takimin e sotëm me homologun serb, që do të ndërmjetësohet nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton. 

“Rezultatet konkrete në dialog janë thelbësore për përparimin në rrugën evropiane, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë”, ka thënë Rompuy.  

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.