THAÇI I RAPORTON JAHJAGËS

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur të mërkurën në takim kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga Ministrja e Integrime Evropiane, Vlora Çitaku dhe nga Koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënie të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, Blerim Shala.
Thaçi e ka informuar presidenten Jahjaga për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës e Republikës së Serbisë, për takimin e fundit të tij me kryeministrin serb dhe për marrëveshjet e arritura në secilën fushë.
Presidentja Jahjaga ka thënë se takimi i paradokohshëm ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel ishte një sukses në arritjen e marrëveshjeve, që jep kontribut në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, dhe në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të dyja vendeve dhe në rrugën tonë të integrimeve evropiane.
“Presidentja ka theksuar se takimi ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë që do të mbahet së shpejti është përkrahje për gjithë procesin e dialogut që po udhëhiqen nga Qeveritë e të dyja vendeve dhe e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, thuhet në një njoftim të presidencës.
Gjithashtu, të dytë u morën vesh për emërimin e Shefit të Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, ambasador nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës. /kosovapress/
EXPRESS
Add new comment