Terror me breshëri automatiku para Universitetit në Shkodër

Një i vdekur dhe dy të plagosur me armë zjarri është bilanci i një atentati të ndodhur dje paradite në qendër të qytetit verior, në rrugën kryesore para godinës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, që veç viktimave, ka sjellë terror te studentët dhe kalimtarët. Hetimet e policisë kanë mbetur në udhëkryq, pasi nuk ka asnjë informacion mbi viktimën, apo autorin e saj. Madje, kjo ka bërë që policia të dyshojë se të tre të dëmtuarit gjatë atentatit, kanë rënë pre e tij aksidentalisht. Ndërkaq, edhe dëshmitë e personave të terrorizuar nga ngjarja e rëndë, kanë dhënë dëshmi të ndryshme mbi autorin, ku disa e përshkruajnë se ishte veshur si peshkatar dhe disa të tjerë, si një person i maskuar me kapele dhe syze.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 09:00, kur një person ende i paidentifikuar, ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Aleksandër Qarrit, 24 vjeç, lindur në fshatin Kir dhe banues në fshatin Gril të Malësisë së Madhe, i cili ka ndërruar jetë në spital. Atentatori ka qëlluar me 30 plumba shënjestrën e tij, ndërkohë që gjatë të shtënave, ka shkaktuar edhe dy të plagosur, kalimtarë të rastit. Megjithatë, të plagosurit, Lekë Marku, 37 vjeç dhe Agustin Begeja, 24 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas krimit të rëndë, atentatori ka hedhur automatikun brenda një çante dhe është larguar me shpejtësi.
Viktima Aleksandër Qarri ka marrë pesë plumba në trup dhe ka pësuar vdekje klinike në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërkohë që tri orë pas ngjarjes ka ndërruar jetë. Ndërsa për dy kalimtarët, mjekët thanë se ata janë jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbat i kanë marrë në këmbë. Sipas policisë, ende nuk dihen motivet e këtij krimi të rëndë, pasi viktima nuk njihej si kontingjent kriminal, por dyshohet se shkak mundë të jetë bërë ndonjë konflikt i ditëve të fundit. Një tjetër pistë hetimi që ka ngritur policia dhe që e bën akoma më të rëndë ngjarjen, ka të bëjë me dyshimin se viktima, ashtu edhe dy të plagosurit, mbase nuk kanë qenë shënjestër e atentatit dhe mund të kenë qenë viktima të rastësishme. Ky dyshim vjen për faktin se asnjëri nga të dëmtuarit për policinë nuk rezulton të këtë pasur ndonjë konflikt serioz dhe shënjestra mund t’i ketë shpëtuar atentatit. Gjithsesi, në polici janë shoqëruar 20 persona, të cilët janë pothuajse të gjithë të njohur të viktimës. Sipas grupit hetimor, ata janë intervistuar për të mësuar ndonjë detaj për ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës.
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar 18 gëzhoja dhe një automatik, ndërsa vazhdon puna e grupit hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjithashtu, policia ka mbledhur dëshmi në vendngjarje, ku ka raportime të ndryshme prej dëshmitarëve në lidhje me autorët e saj. Disa thonë se autori ka qenë i veshur si peshkatar dhe ka lëvizur me biçikletë në drejtim të viktimës. Ndërsa dëshmi të tjera, të mbledhura nga policia, pohojnë se personi që ka qëlluar është afruar në këmbë dhe ka mbajtur një kapele dhe syze për maskim.
Megjithatë, policia tha se po punon në të dyja drejtimet, me qëllim për të zbardhur këtë krim të rëndë. Madje, grupi hetimor ka kontrolluar zonën përreth për kamera sigurie të bizneseve të ndryshme, me qëllim që të identifikojë ndonjë person të dyshimtë, që mund të rezultojë autori i atentatit të djeshëm. Policia ka kontaktuar edhe me familjen e të riut, por të afërmit e tij janë shprehur se ata nuk kishin asnjë konflikt dhe nuk ishin në dijeni të ndonjë sherri, që mund të kishte pasur djali i tyre.
Ardi Hoti, Shqip
Add new comment