Tepelenë, Tafil Buzi merr titullin “Nderi i Kombit”

Postuar në 13 Tetor, 2013 15:14

Qindra banorë të Komunës Buz të Tepelenës shtrënguan duart me Presidentin Nishani dhe i shprehën mirënjohjen që u lartësoi edhe më shumë krenarinë e përligjur që i mbledh prej vitesh tashmë në një festë tradicionale, nderimin e heroit të kësaj treve, Tafil Buzit.

Në këtë festë të përshkuar nga entuziazmi dhe të mirëorganizuar si një shpalosje e vlerave kulturore të kësaj treve, Kreu i Shtetit i akordoi Tafil Buzit dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacion “Për kontribut të shquar atdhetar, si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847”.

Duke iu referuar edhe vlerësimeve të Fan Nolit që patriotizmën shqiptare e gjente te lufta dhe vepra e Tafil Buzit, Zenel Gjolekës dhe Rrapo Hekalit, Presidenti Nishani u shpreh:

“Me këtë nderim që ne po bëjmë sot së bashku duke i dhënë titullin “Nderi i Kombit” Tafil Buzit, ne e vendosim më në fund këtë figurë të vyer të trimërisë dhe mençurisë sonë në piedestalin e duhur që i takon, jo vetëm si një prijës të kryengritjeve më të para mbarëshqiptare, por edhe si një pararendës të madh të vetëdijes sonë kombëtare.

Presidenti Nishani veçoi në fjalën e tij vlerësimin për vizionin largpamës të Tafil Buzit kur përkrahu nismën luftarake për kryengritje të përgjithshme të përfaqësuesve të shtatë krahinave të jugut, të lidhur në një besëlidhje politike në Berat.

Tafil Buzi tregoi jo vetëm një patriotizëm të kthjellët e përparimtar, por edhe një vizion bashkimi të rrallë e të çmuar për kohën. Shpallja që ai shpërndau gjatë kryengritjes së vitit 1835, ishte një nga proklamatat e para ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Ishte hera e parë kur flitej në emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse të jugut”, tha Nishani

Presidenti mori falënderime të veçanta për nderimin e figurës së Tafil Buzit, nga Kryetari i Komunës, Bujar Skëndo dhe Kreu i Shoqatës “Tafil Buzi” Eqerem Osmani, e më pas së bashku me deputetët dhe autoritetet vendore të Tepelenës dhe qarkut Gjirokastër, ndoqi festimet e organizuara me këtë rast.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.