TEATRI I REFORMËS

Postuar në 14 Shkurt, 2013 03:13

 

Për dy vjet liderët e partive politike kanë arritur vetëm një marrëveshje për reformën zgjedhore - e kanë shkurtuar kohën e fushatës në 15 ditë. Por, nuk kanë lëvizur në asnjë prej temave kryesore të këtij procesi, siç janë listat, pragu zgjedhor dhe përbërja e KQZ’së. Përderisa reformën kushtetuese e kanë harruar fare.

Liderët e partive kryesore politike i kanë vazhduar edhe të mërkurën takimet e nisura dy vite më parë për të bërë reforma zgjedhore dhe kushtetuese.

Por, prej prillit të vitit 2011, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli e Albin Kurti kanë arritur vetëm të përgjysmojnë afatin e fushatës zgjedhore në pesëmbëdhjetë ditë. Asgjë më shumë.

Një e ‘arritur’ tjetër e tyre është se në takimin e parafundit janë pajtuar që Kosova të ketë edhe më tutje vetëm një zonë zgjedhore, ashtu siç e ka qenë prej vitit 2001.

Por, asnjëri prej liderëve të partive politike nuk e ka përmendur zhbllokimin e reformës kushtetuese, që ka të bëjë me postin e Presidentit

Pas takimit të përbashkët në ndërtesën e Kuvendit, në konferencë për media janë paraqitur bashkë Hashim Thaçi e Isa Mustafa, ndërsa Lideri i Vetëvendosjes ka dalë i vetëm për të folur për marrëveshjet e arritura.

Me këtë rast, Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, ka treguar se janë pajtuar për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore, por jo edhe për listat zgjedhore, pragun dhe përbërjen e KQZ’së.

“Kemi planifikuar që të shkojmë me lista të hapura, tash ka propozime edhe me lista të mbyllura, por pasi që nuk ka konsensus, ende mund të them se do të ishte me interes që këto diskutime të zhvillohen brenda me një vullnet të mirë gjithë spektrit politik. Por, PDK përkrah më tepër opsionin që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët brenda listës”, ka thënë ai.

Opinione të ngjashme me Thaçin ka dhënë edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se listat e hapura favorizohen nga partia e dytë në Kosovë.

Por, problematik, sipas tij, mbetet pengimi i vjedhjeve të votave.

“Problemi mbetet se cilët instrumente mund t’ i sigurojmë në mënyrë që dobësitë të cilat deri më tani janë paraqitur aplikime të votimit me lista të hapura të tejkalohen mos të kemi zhvendosje të brendshme dhe mos të kemi që komisionarët ose tjerët të vendosin se kush ka me qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

E Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka treguar më shumë detaje të takimit. Ka thënë se ka dhënë edhe propozimet e VV’së për pragun zgjedhor.

“Në këtë mbledhje kishte një mungesë të dakordimit sa i përket çështjes listave të hapura apo të mbyllura. Kemi aso që janë për lista të mbyllura, kemi aso që nuk e thanë qartë se për çfarë janë, por Lëvizja Vetëvendosje është për lista të hapura dhe për aksionin afirmativ çështjet gjinore. Jemi për pragun 7 % për koalicione dhe 5 % për subjekte, si dhe 2.5 % për individ as për këtë nuk kemi ende dakordim”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se VV’ja ka dhënë propozimin që në përbërjen e KQZ’së të jenë anëtarët e pozitës dhe opozitës të barabartë në numër.

Asnjëri prej liderëve nuk e ka përmendur se kur mund të mbahen zgjedhjet parlamentare, por Mustafa e Kurti kanë kërkuar që koha e zgjedhjeve të jetë në ditët e gjata të verës e jo në dimër.

Ndërkohë, zgjedhjet e fundit janë pranuar nga të gjitha partitë politike, megjithëse ka pasur konstatime të ndërkombëtarëve dhe vendorëve se ka vjedhjet e votave ishin industriale.

Pas formimit të koalicionit PDK-AKR dhe konstatimit se Behgjet Pacolli ishte zgjedhur President në mënyrë antikushtetuese, partitë kryesore politike kishin arritur marrëveshje për të votuar Atifete Jahjagën Presidente.

Në atë kohë, PDK, LDK, AKR dhe AAK patën votuar edhe një rezolutë në Kuvend, e cila ka paraparë afate kohore për përfundimin e reformave kushtetuese dhe zgjedhore. Të gjitha ato afate janë shkelur, ndërsa reforma kushtetuese ka mbetur në gjysmë për shkak se Gjykata Kushtetuese e ka pamundësuar shkurtimin e mandatit të Jahjagës.

Afatet kanë përcaktuar përfundimin zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale vitin e kaluar, kurse zgjedhjet parlamentare këtë vit.

Sidoqoftë, udhëheqësit e PDK’së, LDK’së, AKR’së, AAK’së dhe Vetëvendosjes kanë vendosur ta lënë të qetë Jahjagën, e cila ka thënë se nuk largohet nga posti i Presidentit para vitit 2016.

Thaçi, Mustafa e Kurti janë pajtuar të vazhdojnë takimet vetëm për reformën zgjedhore pa e përmendur çështjen e Presidentit.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.