Të pathënat e jetës së Edi Ramës

Prezantimi i kreut socialist do të paraprihej nga një video konferencë ku kryesocialisti do të vlerësonte “23 qershorin si moment historik i njëjtë me vitin 1991”. Lideri i opozitës argumentoi se përmes ofertës së tij se pse Vlora, por dhe gjithë Shqipëria duhet të zgjedhë PS dhe aleancën e saj në 23 qershor. Në video nuk kanë munguar edhe impresionet e nënës së kreut të PS-së, djalit, bashkëshortes Linda bashkë me vajzën e saj, si një mbështetje e fortë në këtë rrugëtim të tij. Lideri I opozitës tregoi momentet e tij më të vështira të jetës, ndërsa familjarët, miqtë dhe bashkë[punëtorët e ngushtë, Edi Ramën tjetër, atë jashtë kamerave. Bashkëshortja e tij, Linda Basha zbardh dhe një nga momentet më kyçe të jetës së Edi Ramës. Përmes një rrëfimi, Linda shprehet se vetëm një ditë para 28 janarit, protestës homazh të përkujtim të katër protestuesve që mbetën të vdekur më 21 janar, Edi Rama është njoftuar nga një agjenci serioze për rrezikun që i kanosej jetës së tij. Ndërsa vetë Rama tregon një nga çastet më të vështira të jetës, atë kur mësoi se djali i tij Gregori vuante nga kanceri dhe lufta e përbashkët për ta kapërcyer.
Aneta Rama: Është shumë këmbëngulës.
Samir Tahiri: Pas dere shikon gjithmonë diçka pozitive.
Gregor Rama (i biri) : Ndonjëherë lë të mërziten të tjerët, rëndësi ka që punët të bëhen mirë.
Aneta Rama: Ai do që ky vendet të bëhet.
Linda Basha: Dhe nuk ndalet.
Saimir Tahiri: Është lideri që i duhet vendit.
Aneta Rama: Është shumë i ndjeshëm.
I Biri/ Gregu: Është serioz.
Aneta: Edi është djalë që çdo nënë do të dëshironte ta kishte.
Edi Rama: Kur lindnin fëmijët dikur, i vendosnin përpara sende të ndryshme. Ajo që zgjidhnin në fillim ishte ajo që do të bënin në jetë. Unë kam zgjedhur një penel dhe një tufë me çelësa. Dhe në fakt jeta ime është deri tani jeta e një artisti dhe një njeriu që ka çelësat e zyrës në dorë. Asnjëherë s’kisha menduar ndonjë ditë do të merresha me politikë si punë e përditshme, edhe pse politika gjithmonë më ka interesuar si pjesëmarrje, edhe kjo që i vogël. Por sot jam aty ku se kisha përfytyruar se do të isha në një ditë të jetës time.
Aneta Rama: Ka qenë adoleshent në Liceun Artistik. Dhe të dielën që ishte dita e pushimit, që në mëngjes merrte bojërat, tavalocën dhe ikte tek liqeni të pikturonte. Atë ditë duke pikturuar e zë një shi i madh. Dhe Edi për të mbaruar deri në fund pikturën, mbronte pikturën me çadrën dhe vetë ishte bërë ujë. Një i njohuri jonë që kthehej nga ajo rrugë e sheh atë në shi dhe i thotë: “Ore Edi, je bërë ujë”. “S’ka gjë,- i tha, dua ta mbaroj këtë pikturën”. Shumë këmbëngulës, i shkon gjërave deri në fund. Edi ka edhe forcën, edhe vullnetin që ta çojë këtë vend përpara.
Vladimir Myrtezai: Është fat ta njohësh Edi Ramën, është një natyrë e drejtpërdrejtë, është një natyrë e fortë dhe mendoj se një nga elementet që ai ka brenda vetës është dashuria. Dhe një tjetër, ka brenda vetes një energji të madhe.
Vali Bizhga: Unë e kam quajtur magjistar, sepse gjatë gjithë kohës që punonim në Bashki ishte një njeri që në fakt e induktonte këtë shpirtin luftarak tek secili nga ne. Shkatërrimi i kioskave dhe rehabilitimi i parkut Rinia, është një nga ndryshimet më të mëdha të qytetit. Gjithashtu, gjithë shkatërrimet që u bënë buzë Lanës, një sërë projektesh për të rinjtë me idenë që gjithë nxënësit më të mirë të e shkollave të mbështeteshin, duket të mbështeteshin, t’i motivonte ata për t’i dhënë një tjetër shpresë zhvillimit të qyteteve të Shqipërisë. Edi Rama ishte një njeri që luftoi me gjithë shpirt dhe i bëri, që jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por gjitha bashkitë të kishin një fuqi tjetër, të ishte vërtetë qeverisja e qyteteve. Edhe mendoj se ishte nga të parat që i dha fuqi qeverisjes vendore.
Edi Rama: Momenti më i tmerrshëm, kur duhet të shkoja në thellësitë më të panjohura të vetes për të gjetur energji, që të qeshja, që të flisja, që të komunikoja që të bëja punon normalisht gjatë gjithë ditës, ndërkohë që nata ishte mbushur me lot, ishte koha kur im bir jetonte me vdekjen në trup duke u përballur me të panjohurën më të madhe që na gërryente brenda vetes gjithë ne.
Gregor Rama: U diagnostikova me kancer kur isha tek xhaxhai im në Amerikë. Mora Edin në telefon dhe i thash unë mund të largohem, por unë nuk dua të largohem dhe Edi që më tha: “T’i nuk ke për t’u larguar sepse ti je djali im, ti duhet të luftosh me këtë sëmundje, si në një ndeshje basketbolli. Loja nuk ka mbaruar akoma, ke punë për të bërë. Sëmundja është 3 pikë para teje, duhet të bësh 3 pikshin e barazimit”. Mbas terapisë eksperimentale rezultati doli se unë isha shëruar dhe po flisja me Edi në telefon dhe ai më tha: “Shiko. Ky është momenti që ti e bërë 3 pikëshin e lojës, tani duhet të ruash qetësinë sa të mbyllet loja sepse ti je në avantazh, se ti e ke fituar lojën.
Linda Basha: Për Edin familja është një hapësirë ku gjithsecili ndjehet mirë dhe është vendi ku njeriu mund të shprehë shqetësimet pa asnjë lloj problemi dhe të marri për shqetësimet edhe këshilla dhe ndërkohë, edhe mbështetje të fortë që të jetë i sigurt.
E bija e Lindës, Rea: Duke qenë se unë jetoj jashtë shtetit dhe studioj atje, momentet të cilat takohemi nuk janë të shpeshta dhe prandaj mundohemi që në çdo moment që kalojmë së bashku, të jetë një moment sa më i veçantë. Unë studioj për arkitekturë dhe arkitektura përmbledh shumë fusha të ndryshme dhe është shumë e gjerë. Gjithmonë, sa herë është rasti që të diskutojmë me Edin, mbi ato që shoh, Edi është gjithmonë shumë i informuar dhe gjithmonë i gatshëm të diskutojë me mua dhe të më japi këshilla dhe referimente që ta zgjerojë akoma më shumë njohurinë time.
Saimir Tahiri: Unë besoj që është lideri që i duhet vendit sepse ka superenergji, ka ide të mëdha, ka vullnet për t’i realizuar ato në detaje, ka pozitivitetin që i duhet dhe ka përkujdesjen për skuadrën.
Aneta Rama: Mua më vjen keq kur dëgjoj të thonë që Edi Rama gjithë këtë luftë e bën për karrige. Të qenurit lider i shërben për të realizuar të gjithë forcën, të gjithë vizionin, të gjithë nevojën që ka ky vend për t’u bërë si të gjithë të tjerët, me standarde dhe për të jetuar me dinjitet.
Linda Basha: Kërcënimi për jetën e Edi Ramës
Ajo që mua më tërheq tek Edi është ndjeshmëria ndaj çdo gjëje që e rrethon dhe po t’i shtosh kësaj ndjeshmërie, shumë vlera të tjera si këmbëngulja, përkushtimi, dashuria e madhe që ai ka për gjithçka që ai bën. Në 28 janar u caktua që të bëhet protesta homazh dhe vetëm një ditë më parë, në mbrëmje, Edi u njoftua nga një agjenci serioze se kishte një paralajmërim për eliminimin fizik të tij. Ishte një natë shumë e gjatë. Sigurisht, secili prej nesh. Unë mbaja shqetësimin brenda vetes që mund t’i ndodhte Edit, por ndërkohë shqetësimi më i madh dhe real në diskutimet tona nuk ishte ky, ishte rreziku i provokimit të një gjëje të rëndë në një masë të madhe njerëzish që parashikonin të vinin në protestë. Dhe Edi në një moment fare i vendosur mori vendim e tij që protesta në asnjë mënyrë nuk mund të anulohet, sepse nëse protesta anulohet, do të instalohet një frikë tek populli opozitar dhe në shoqëri, ndërkohë që e tha fare qartë: “Jeta ime nuk ka kurrfarë vlere përpara atyre që në 21janar mbetën në bulevardin Dëshmorët e Kombit”.
Dua të lë emër në historinë e këtij vendi
Rilindja është ëndrra më e madhe me sy hapur, që e shoh të realizohet përmes politikës dhe përmes Partisë Socialiste duke vënë në dispozicion të kësaj ëndrre ide të reja, eksperiencën e së shkuarës, vullnetin për të mos përsëritur gabimet dhe pasionin politik për të transformuar Shqipërinë. Ky është një moment historik. Unë besoj që ky është një moment po aq historik, siç ishte për shqiptarët viti ’91, ’92, kur vota e shqiptarëve përcaktoi ndarjen nga e shkuara dhe hapjen e një kapitulli të ri, që sot është kapitulli që duhet të mbyllet për të hapur një tjetër kapitull të ri, për të hapur kapitullin e Rilindjes si alternativa kundër rrënimit të vazhdueshëm. Dhe unë besoj se çdo shqiptar sot, si prind, si gjysh apo gjyshe si student, si nxënës, si votues i parë ka më shumë arsye për të shkuar dhe për të votuar. Një votues i parë, që jeta e tij universitare të mos jetë si jeta universitare e atyre që sot kanë në dorë të tyre një diplomë pavlerë, ndërkohë që familja e tyre shpenzon kursimet. Një student ka arsye që të shkojë të votojë në mënyrë që jeta e tij pasuniversitare të mos jetë rreshtim në kolonën e pafund të të papunëve. Çdo prind që merr një rrogë ka arsye të madhe të shkojë të votojë, se vota e tij do të ulë taksat. Një burrë, një grua, që jeton në fshat ka arsye të shkojë të votojë për të ulur kostot e prodhimit dhe të shkojë të shesë prodhimet në treg. Një pensionist ka arsye të mëdha për të shkuar të votojë për të ulur taksën e ilaçeve, për të ulur taksat e fshehura tek fatura e energjisë, tek faturat e ujit. Ka një arsye të madhe të shkojë të votojë një njeri që e ka dyqanin e tij të vogël sepse me votën e tij do të heqë taksën e biznesit të vogël, do të ulë në mënyrë drastike tatim-fitimin dhe do të marrë frymë lirisht, ashtu sikundër çdo njëri nga ata që kanë lënë emrin në librin e veresies në dyqanet e ushqimoreve kanë arsye të shkojnë të votojnë në mënyrë që të mund të çlirohen nga laku i atyre borxheve. Çdo sipërmarrës ka arsye të votojë sepse me votë do të mund të rrëzojë muret e klientelave dhe monopoleve që nuk e lënë të vazhdojë në rrugën e konkurrencën dhe e bëjnë të pamundur që me meritën e tij të përfitojë atë që meriton. Kush nuk ka arsye të shkojë të votojë Partinë Socialiste dhe për t’i hapur rrugën Rilindjes më 23 qershor! Unë nuk merrem me politikë për të pasur apo për të qenë. Dhe politika më jep mundësinë të jem ai që dua dhe njëkohësisht të bëj gjërat që unë dua. Dhe gjerat që unë dua të realizoj lidhen me ambicien time për të lënë një emër në historinë e këtij vendi. Për të bërë bashkë me të tjerët gjerat që padrejtësisht shoqërisë sonë i janë bërë të pamundura dhe për të qenë krenar përpara fëmijëve, nipërve, mbesave nëse arrij atë ditë.
SHEKULLI
Add new comment