Standardet e dyfishta të Nishanit/ Dekretet e presidentit minojnë besimin tek drejtësia

Postuar në 28 Mars, 2013 14:14

 

Dekretimi për në Gjykatën Kushtetuese i dy gjyqtarëve, që më parë kanë marrë vendime thellësisht të diskutueshme për çështje korrupsioni, ka shtuar dyshimet në lidhje me qëndrimin e presidentit ndaj sundimit të ligjit

Nga Besar Likmeta, BIRN

 

Që prej zgjedhjes së tij si kreu i shtetit në qershor të vitit 2012, presidenti Bujar Nishani ka deklaruar vazhdimisht se qëllimi kryesor i mandatit të tij është rikthimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, dy dekretet e tij për transferimin e dy gjykatësve të Gjykatës së Lartë, të akuzuar për mbylljen e dy gjyqeve për korrupsion të nivelit të lartë, në Gjykatën Kushtetuese, kanë shtuar dyshimet në lidhje me qëllimet e tij.

Jo vetëm që janë dy gjyqtarë që perceptohet se janë nën ndikimin direkt të Partisë Demokratike në pushtet, por ata kanë shërbyer edhe si hetues gjatë kohës së komunizmit.

Në vitin 2009, demokratët nisën një fushatë publike kundër ish- presidentit Bamir Topi, duke e akuzuar atë se ishte simpatizant i komunizmit pasi nuk mbështeste një ligj për lustracionin, që do kishte ndaluar gjykatësit e periudhës së komunizmit të ishin në detyrë.

Ligji, që u vlerësua si antikushtetues në shkurt të vitit 2010, u kritikua nga SHBA, BE dhe Këshilli i Europës pasi lejonte shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve pa një proces të rregullt ligjor.

Nishani, që ishte ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm në qeverinë e Berishës përpara se të zgjidhej president, ishte një nga mbështetësit kryesor të ligjit dhe akuzoi Gjykatën Kushtetuese për konflikt interesi kur e rrëzoi atë.

Së bashku me partinë në pushtet ata rrëzuan çdo dekret të ish- presidentit për gjykatat e larta, bazuar në punën e tyre gjatë regjimit komunist, edhe pse ligji nuk kishte hyrë në fuqi.

Kritikët thonë se ky ndryshim i tij tregon standarde të dyfishta dhe propagandon një kulturë të mosndëshkueshmërisë dhe të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Sipas një sondazhi të publikuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Shqipëri, shqiptarët kanë pak besim në sistemin e drejtësisë, duke dhënë një rezultat të ulët prej 3.2 në një shkallë nga 0 deri në 10.

Sondazhi tregonte gjithashtu se shqetësimi kryesor i shqiptarëve për gjendjen e demokracisë lidhet me pabarazinë para ligjit, që është vendosur i pari në listën e 16 shqetësimeve.

Nishani dërgoi të premten në parlament dekretet e tij për Gani Dizdarin dhe Besnik Imerajn për një mandat 9- vjeçar në Kushtetuese. Mandati i tyre në Gjykatën e Lartë është duke mbaruar.

Komisioni parlamentar i Ligjeve i ka miratuar dekretet me votat e demokratëve. Opozita bojkotoi mbledhjen.

Në Gjykatën e Lartë, të dy gjyqtarët janë akuzuar për përdorimin e arsyetimeve ligjore të dyshimta për të pushuar çështjet e korrupsionit në nivele të larta kundër ish- ministrit të Transportit dhe kryebashkiakut aktual të Tiranës, Lulzim Basha dhe ish- zëvendëskryeministrit Ilir Meta.

Ata po ashtu ishin pjesë e trupit gjykues që pushoi çështjen kundër ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të akuzuar për shpërdorim detyre gjatë shpërthimit vdekjeprurës në Gërdec në mars të vitit 2008, ku u vranë 26 persona.

Basha u akuzua për shpërdorim të pushtetit në lidhje me një projekt gjigand për autostradën që lidh brigjet e Shqipërisë me Kosovën. Përllogaritej se ai ka shkaktuar një dëm prej 230 milion euro. Çështje u pushua për shkaqe procedurale në prill të vitit 2009.

Meta u akuzua për korrupsion pas publikimit të një videoje, në të cilën ai mund të shihej duke diskutuar për një ryshfet në vlerën e qindra mijëra eurove me një tjetër ministër. Çështja ndaj tij u pushua në janar të vitit 2012, kur video nuk u pranua si dëshmi.

Gjyqi ndaj Mediut përfundoi përpara se të niste në shtator të vitit 2009, disa orë pasi ai ishte betuar si ministër i Mjedisit. Gjykatësit thanë se posti i tij parlamentar i jep imunitet nga ndjekja penale.

Meta, Basha dhe Mediu kanë mohuar çdo akuzë dhe kanë thënë se ato janë të motivuara politikisht.

Megjithatë, të tre rastet kanë ngritur dyshime në opinionin publik, duke minuar besimin në sistemin e drejtësisë.

Dizdari ishte po ashtu i përfshirë në një skandal korrupsioni, pasi nipi i tij u arrestua në shkurt të vitit 2012 dhe u gjet fajtor së bashku me dy të tjerë për një përpjekje të dyshuar për të ndikuar në vendimin e një rasti për vrasje në Gjykatën e Lartë, vendim që do jepej nën kryesimin e vetë Dizdarit.

Prokurorët e kësaj çështje pretendojnë se paneli i Gjykatës së Lartë është informuar për hetimin, duke bërë që Dizdari dhe të tjerë gjykatës të mbajnë në fuqi vendimin e mëparshëm.

E pyetur nga Balkan Insight në lidhje me standardet e aplikuara për të përzgjedhur kandidatët, zyra e presidentit u përgjigj: “u aplikuan kriteret e parashikuara në ligj”.

Megjithatë, dy nenet e Kushtetutës, të cituara nga Nishani, detajojnë vetëm të drejtën e presidentit për të dekretuar gjyqtarët, të cilët më pas verifikohen nga parlamenti.

Komentatori politik, Mero Baze, thotë se kriteri real është fakti se dy gjykatësit kanë ndihmuar në mbylljen e disa prej skandaleve korruptive më të rënda të demokratëve.

“Këto dekrete minojnë tërësisht besimin tek gjyqësori për shkak se po shpërblehen ata gjykatës që kanë krijuar kulturën e mosndëshkueshmërisë ndaj korrupsionit,” tha ai.

“Dy gjykatësit kanë kryesuar tre raste të profilit të lartë kundër qeverisë dhe i kanë mbyllur ato në favor të tyre, duke shtuar kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve,” shtoi Baze.

Arion Sulo, redaktor i të përditshmes MAPO, bie dakord. Ai thotë se emërimet kanë vënë në vështirësi edhe disa deputetë të PD, veçanërisht ata që kanë mbajtur qëndrim kundër mbajtjes në detyrë të prokurorëve që kanë shërbyer në komunizëm.

“Ky ishte një vendim i marrë nga kryeministri Berisha në konsultim me presidentin, ndërsa shumë deputetë të PD privatisht kanë qenë kundër,” thotë Sulo.

“Presidenti jo vetëm që është në kundërshtim me qëndrimin e tij të mëparshëm ndaj ligjit të lustracionit, por po imponon standarde të dyfishta,” përfundon ai.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.