Spahiu me familjet e vjetra tiranase: Kryeqyteti, si Palermo e mafies së viteve ‘70

Aleanca Kuq e Zi zhvilloi një takim me dhjetëra familje autoktone tiranase në mbrojtje të vlerave, traditës, historisë, kulturës dhe trashëgimisë së kryeqytetit. Në takim u demonstruan një seri faktesh dhe provash me vlerë historike për qytetin e Tiranës. Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ishte i shoqëruar nga familjet më të vjetra Kazazi, Vorpsi, Hyka, Stërmasi, Balla, të cilët ndanë së bashku shqetësimet dhe problematikat e qytetit të Tiranës.
Në fjalën e tij, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, shpalosi një analizë të thellë mbi zhvillimet në Tiranë dhe vizionin e Aleancës Kuq e Zi për kryeqytetin.
“Kjo nuk është më Tirona as e viteve ‘40, as ‘80 dhe as e shekullit të ri. As në kohën e Qazim Mulletit dhe as në kohën e Enverit Tirona jonë nuk ka qenë kurrë më e pasigurt dhe më e rrënuar.
Kur po kthehesha një ditë me disa miq amerikan, të cilët po vinin për herë të parë në Shqipëri, avioni po ulej mbi kryeqytet dhe njëri prej tyre më pyeti mos vallë po ulemi në Bosnjë dhe ka ende bombardime lufte? Jo, i thashë, Jemi duke ulur në Tiranë dhe ne nuk kemi qenë në luftë. Amerikanëve u ngjau kryeqyteti nga lart si i bombarduar nga lufta. Kjo është Tirona dhe Tirana e PD dhe PS, të cilëve u mjaftuan 23 vite për të na e shkatërruar si kurrë më parë.
As në kohën e Duçes dhe Hitlerit Shqipëria nuk njohu një masakër urbane të tillë. Sot ende pjesa më e urbanizuar dhe me arkitekturë civile mbetet bulevardi “Dëshmorët e kombit”, që u ndërtua nga pushtuesit, sepse Tirona e jonë do njihte disa nga pushtuesit më të egër dhe më të rrezikshëm, sic ishin demokratët dhe socialistët. 23 vite do i mjaftonin Sali Berishës dhe Sali Kelmendit, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që ta shndërronin kryeqytetin e Shqipërisë në “Kabulin” e Europës.
Sot pasiguria për jetën dhe pronën ka thyer çdo rekord botëror dhe historik në kryeqytet. Në Tironë jetohet mirë vetëm nëse vendos të jetosh sa më larg saj. Tirona, qyteti ku u linda dhe u rrita 43 vite, është zona më mikpritëse e gjithë Shqipërisë, por tironsit e vjetër ndjehen të neglizhuar dhe përbuzur nga të gjitha regjimet.
Sot edhe Fani i vogël ka bypass dhe unazë, ndërsa Tirona jo. Në Tironë të gjithë duhet të dalin pa çanta, ora, varëse, portofolë sepse në mes të rrugëve mund të grabitesh dhe humbasësh jetën.
Në Tironë nuk mund të hipësh në autobus sepse janë nën kontrollin e xhepistëve. Sot Tirona është shndërruar disa herë me keq se Palermo e mafies së viteve ‘70.
Sot në Tironë po shkallmohet çdo lulishte dhe trami apo treni nuk janë hedhur dot as në letër dhe jo më të përfundojnë. Tirana është qyteti që paguan më shumë taksa, por është më qyteti më i keqmenaxhuar.
Sot në qeverinë e shtetasit Berisha nuk gjen asnjë tironc, ashtu siç nuk gjen edhe asnjë vlonjat sepse ai e urren kryeqytetin e shqiptarëve, ashtu siç dogji qytetin e Ismail Bej Vlorës.
Për demokratët dhe socialistët Tirona është qyteti i fërgesës, ndërsa për ne si Aleancë Kuq e Zi këtu është metropoli i 10 milion shqiptarëve.
Shqiptarëve nga të gjitha trevat do u garantojmë se ky qytet me vlera dhe historia e saj do jenë krenaria e mbarë kombit shqiptar. Tironca të vjetër apo të duan një qytet kuqezi,” theksoi në fjalën përshëndetëse kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.
Takimin e përshëndetën disa nga familjet autoktone, të cilat shprehën besimin e tyre për vizionin e Aleancës Kuq e Zi për një metropol të zhvilluar në shërbim të qytetarëve dhe jo partive të pushtetit vertikal dhe horizontal.
TEMA
Add new comment