Situata në Ukrainë, Bushati: Ka sjellë në pikëpyetje perimetrin e sigurisë së NATO-s.

Postuar në 30 Prill, 2014 13:05

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati po merr pjesë këto ditë në një konferencë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, një organizatë jo-qevertiare në Uashington. Konferenca mblidhet për të shënuar arritjet drejt krijimit të një Evrope të lirë dhe të bashkuar. Konferenca po zhvillohet në një kohë kur në qendër të sigurisë së Evropës ka dalë kriza mes Rusisë dhe Ukrainës pas aneksimit të Krimesë nga Moska. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ai shprehet se kriza e Ukrainës ka sjellë efektet e saj edhe në rajonin tonë.

Zoti ministër, ju ndodheni këtu në Uashington kryesisht për të marrë pjesë në një konferencë e cila përqëndrohet tek roli i NATO-s, por edhe tek ai i BE-së për një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Natyrisht, tema kryesore kanë qenë ngjarjet në Ukrainë, problemi më i madh gjeopolitik, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Çfarë ndikimi ka kjo situatë për sigurinë e Ballkanit, ndërkohë që gjendja atje është ende e brishtë?

Ne patëm mundësinë që të diskutojmë në këtë konferencë së bashku me kolegë nga vendet e Evropës dhe sekretarin e Shtetit Kerry lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë dhe për pasojat që sjellin këto zhvillime për arkitekturën e sigurisë evropiane, ku natyrisht Ballkani zë një vend të posaçëm. Kriza e Ukrainës ka sjellë efektet e saj edhe në rajonin tonë. Më lejoni të theksoj që sot për sot rajoni duket sikur është i ndarë në dy kategori: në kategorinë e vendeve të cilat i janë bashkëngjitur qëndrimeve të qarta të SHBA-së dhe BE-së, qoftë në planin bilateral ashtu dhe në suazën e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve të tjera të rajonit të cilat për fat të keq kanë adoptuar ose një qasje neutrale ose një qasje abstenuese ndaj sanksioneve që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndërmarrë ndaj Rusisë.

Kjo ka sjellë edhe një herë në pikëpyetje për perimetrin e sigurisë të NATO-s në zonat rreth e përqark saj, të cilat, sidomos kur bëhet fjalë për Ballkanin, konsideroheshin zona nën një lloj mbikëqyrjeje perëndimore. Gjithashtu, këtë periudhë, kemi vënë re me shqetësim edhe disa paralele totalisht të pavërteta ndërmjet situatës në Ukrainë – përkatësisht Krimesë – dhe Kosovës, apo modelit federativ në Bosnje dhe një modeli të mundshëm federativ në Ukrainë. Të gjitha këto çështje kanë qenë pjesë e diskutimeve të konferencës tonë, ku me kënaqësi është riktheksuar nevoja për të riforcuar lidhjen transatlantike dhe nevoja për të vazhduar më tej, në mënyrë konkrete, me projektet e sigurisë në Evropë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.