Siri, luftime të ashpra në Damask

E shtuna është zbardhur me luftime të ashpra mes forcave opozitare dhe ushtrisë së regjimit në kryeqytetin sirian, Damask.
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve flasin për bombardime dhe të shtëna armësh thuajse në të gjithë kryeqytetin. Situata është e rënduar dhe rrugët e boshatisura dhe shkëmbime plumbash vërehen edhe në lagjet pranë rezidencave qeveritare.
Sulmet ndodhin në një kohë kur ushtria është përqendruar në zonat e tjera të ndezura në konflikt në vend, sidomos në Alepo dhe Homs. Grupet opozitare siriane raportojnë për përleshje të ashpra në dy ditët e fundit me forcat e regjimit në këto dy qytete, dy kryeqendra e lëvizjes opozitare të armatosur.
Grupi Koordinator Lokal, një organizëm opozitar flet për 112 të vrarë, pjesa më e madhe civilë, në të gjithë Sirinë vetëm ditën e premte. 38 prej viktimave, sipas të njëjtave burime, u regjistruan në kryeqytetin Damask dhe zonat përreth tij.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se përleshjet më të mëdha mes forcave të regjimit dhe rebelëve të armatosur, kanë ndodhur në lagjet Saif –al-Daula, Hanano dhe Sakhour të Alepos. Ushtria siriane ka përdorur artilerinë e rëndë tokësore si dhe avionët për të sulmuar bazet e rebelëve në këto lagje. Këta të fundit njoftuan rrëzimin e një avioni luftarak të regjimit, që u konfirmua më vonë edhe nga vetë Damasku.
Besohet se 31 ushtarë, mes tyre edhe një oficer i lartë të regjimit janë vrarë në Itha, qytezë pranë Alepos. Televizioni shtetëror transmetoi pamje nga luftimet duke deklaruar se forcat qeveritare vranë “një numër të madhe terroristësh” ditën e premte.
Ndërkohë, në Këshillin e Sigurimit mbeti pezull kërkesa e Turqisë për formimim e zonave të sigurisë brenda Sirisë në mënyrë që të sigurohet jeta dhe ushqimi i të zhvendosurve të luftës. Ideja e Ankarasë, që është edhe pritësja më e madhe e refugjatëve sirianë, nuk gjeti mbështetje as nga Perëndimit. Ministri i jashtëm francez dhe ai i Britanisë së Madhe deklaruan se krijimi i këtyre zonave do të kërkonte patjetër ndërhyrje ushtarake nga jashtë, që ne për momentin po përpiqemi të shmangim.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një takim me studentët foli për situatën në Siri. Ai tha se është “naivitet” të mendosh që presidenti Bashar al-Assad do të ulë i pari armët në konflikt duke patur parasysh situatën aktuale.
Sipas tij, kërkesa e vendeve arabe dhe perëndimit për presidentin Assad për të ulur armët, ose është naivitet, ose një provokim.
top-channel.tv
Add new comment