Shtyhet Projektbuxheti 2014, do shlyhen borxhet

Postuar në 05 Nëntor, 2013 16:13

-Kryeministri Edi Rama garantoi dje se përfshirja e agjentëve të kurorës, “Crown Agents”, në mbikëqyrjen e pikave doganore dhe rritjen e kapitalit njerëzor brenda sistemit doganor, si dhe prurjet e reja nga konkursi për rreth 150 vende pune në tatime, do të sjellin një rritje të ndjeshme të cilësisë së shërbimit të shtetit, qoftë në dogana, qoftë në tatime. Ndërkohë ai theksoi se do të mbahet premtimi për shlyerjen e borxheve. “Finalizimi i termave të programit të ri me FMN-së, për të cilin kemi gjetur edhe mbështetjen më të plotë të Bankës Botërore është dhe arsyeja pse projektbuxheti do të shtyhet për afro dy javë në mënyrë që ngrehina e tij të mbështetet në themelin e ri që ky program përbën për ekonominë tonë në vitet në vijim. Po që sot mund të thuhet pa asnjë ngurrim se rruga e rimëkëmbjes është e hapur dhe siç e kemi premtuar ajo është e projektuar të nisë me larjen e llogarive të shtetit ndaj sipërmarrjes, si dhe me mbylljen e gropave të hapura gjithandej nëpër Shqipëri me katrahura financiare dhe korruptive në infrastrukturën e vendit tonë”, - shtoi Rama.

Ndërkohë, me fjalë optimiste, Rama u tha deputetëve të PS-së se: “me finalizimin e termave të programit të ri me FMN-në dhe BB-në mund të thuhet se qoftë kush e ëndërron skenarin grek për qëllime politike, por qoftë dhe kush në mënyrë të arsyeshme i trembet rrënimit të mëtejshëm ekonomik për arsye të krizës tronditëse që ka trashëguar vendi, duhet ta ketë fare të qartë se më e keqja do të kalojë më 2013-tën”.

Tatimet e doganat

Kryeministri Rama ritheksoi shqetësimin për gropën financiare të trashëguar nga qeveria paraardhëse edhe pse shtoi se rimëkëmbja ka nisur. “Rezultatet e para të punës nën drejtimin e ri në dogana dhe në tatime, flasin për zhvillime pozitive në drejtimin e duhur. Kemi trashëguar një gropë financiare të hapur nga mosrealizimi dramatik i 9-muajve rresht, qoftë në dogana, qoftë në tatime, si pasojë e degjenerimit të qeverisjes para dhe pas zgjedhjeve, korrupsionit të kudondodhur dhe shpartallimit të administratës doganore e tatimore vit pas viti. Por e vërteta është se kemi gjetur dhe njerëz profesionistë dhe të gatshëm në sistem, për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve”, - tha ai. Sipas Kryeministrit, në vetëm 40 ditë vendosja e dy drejtoreve të përgjithshme dhe rivënia në lëvizje e sistemit doganor dhe tatimor, jo vetëm ka tejkaluar planin, por ka rezultate shumë më të mira se muajt e kaluar. “Ka një ndryshim shumë të fortë mes shtatorit dhe tetorit të po këtij viti në dogana. 28 milionë dollarë më shumë. Që do të thotë që jo vetëm është frenuar rënia e vazhdueshme janar – shtator, por është shënuar edhe një pikë kthese e fortë që kemi shumë besim, bazuar mbi të dhënat e mëtejshme, se është fillimi i një ringritjeje që do të vazhdojë sistematikisht”, - tha Rama. Kreu i Qeverisë shtoi më tej se e njëjta tendencë vërehet qartë edhe në rezultatet e tatimeve, por ato do të bëhen publike sot. “Jo për të dhënë një injeksion optimizmi, që nuk është i pavend, por për të nënvizuar se puna intensive që po bëhet në bashkëpunim me FMN-në dhe me Bankën Botërore, si dhe me mbështetjen e një grupi ekspertësh të nivelit më të lartë sot në botë, bazuar edhe në analizën shumë të kujdesshme të gjithë gjendjes financiare dhe ekonomike të vendit tonë, si dhe potencialeve të zhvillimit, na jep të drejtë që të mos ngurrojmë kur themi se më e keqja do të kalojë me 2013”,- shtoi Rama.

Debati Cani- Fino për shkurtimin e bonusit

Nevoja për të kursyer në çdo drejtim të mundshëm është ritheksuar sërish fort nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist. Por, për socialistin Bashkim Fino nuk mund të zgjidhet situata me shkurtimet në karburantin e deputetëve. Madje mësohet se Fino ka bërë të njëjtin propozim si në Komisionin e Ligjeve duke deklaruar se në këto kushte do të ishte më mirë që të hiqen të gjitha bonuset dhe jo të bëhen shkurtime të pjesshme. Edhe pse në këto kushte, sipas tij, Qeveria duhet të marrë masa për të rregulluar aktivitetin e deputetit dhe t’i krijojë mundësinë atij që të shkojë në zonë. Shqetësimit të Finos i është përgjigjur ministri Cani. Ai ka ritheksuar se gropa në të cilën gjendet sot buxheti i shtetit është mjaft e madhe, prandaj çdo shkurtim sado i vogël të jetë ai, është i mirëpritur dhe ndihmon në zgjidhjen e problemit. Madje kreu i Financave ka lënë të hapur mundësinë për të tjera shkurtime.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.