Shtrenjtohen sigurimet, shoferët paguajnë 8 % më shumë

Postuar në 21 Shtator, 2012 10:51

Tarifat e siguracionit të automjeteve rriten për herë të dytë brenda vitit. Nga kjo e hënë, sigurimi i një mjeti kushton 6 deri në 8 % më shumë në varësi të kompanisë së sigurimeve. Ato kompani që nuk kanë ndryshuar tarifat për momentin, zakonisht i reflektojnë ato pak më me vonesë.

"Çmimi aktual i siguracionit të automjeteve duke iu referuar dhe fuqisë motorike nga 0 deri në 1600 kubik është 14 990 lekë. Mbi 1600 kubik është 15 590 lekë. Këto tarifa kanë tre ditë që janë futur në fuqi. Më parë makinat deri në 1600 kubik ka qenë 14 000 ndërsa mbi 1600 kubik ka qenë 14 600 lekë", deklaron Arlind Kushaka, agjent sigurimesh.

Ata që paguajnë rritjen e kostos të polisës së sigurimeve janë qytetarët, të cilët ankohen se sa hërë kompanitë rrisin çmimin, ata duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi. 

Vitin e kaluar liberalizimi i tregut solli uljen e çmimit të polisave, të cilat arritën deri në 5 mijë lekë. Në muajin shkurt primi i sigurimit arriti në 14 mijë lekë dhe këtë shtator ai është bërë afro 16 mijë lekë. Por Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thotë se nuk kemi të bëjmë me abuzim, por me reflektim të tregut të lirë.

"Primit e sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta tashmë janë të liberalizuar. Jemi informuar, ka ndryshime të tarifave, disa i kanë ulur, disa i kanë rritur. Kemi rritje me 6 përqind apo me 7 përqind. Siç kemi gjithashtu kompani që i kanë ulur deri në -15 %. Është komplet në duart e kompanive të sigurimit të vendosin për tarifat e primit të sigurimit", deklaroi nëndrejtori i AMF-së, Mati Pepa. 
 
Sipas të dhënave të Autoritet të Mbikëqyrjes Financiare, janë 270 mijë automjete të sigurura në qarkullim, ndërsa mjete të pasiguruara janë afro 2%. Pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor rezultojnë 430 mijë automjete të regjistrura, prej të cilave 170 mijë nuk qarkullojnë në rrugë. 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.