Shqipëria, për herë të parë anëtare e ILO, Veliaj: Krenar për progesin

Për herë të parë në histori, Shqipëria zgjidhet anëtare e bordit drejtues të ILO-s, me më shumë se 400 vota. Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i pranishëm në punimit e sesionit të 103-të të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) që u zhvillua në Gjenevë, u shpreh se ndihet krenar për progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë keto muaj me modernizimin e zyrave të punës dhe reformën e pensioneve.
Duke falenderuar ILO-n për ndihmën e dhënë në promovimin e dialogut social, mbrojtjen shoqërore dhe përpjekjet për të zbutur rrugën drejt një ekonomie dhe tregu formal pune, Veliaj u shpreh se programi i qeverisë i kushton vëmëndje të madhe çështjeve sociale dhe e cilëson si prioritet hapjen e vendeve të reja të punës.
“Duke i kthyer sytë nga arsimi dhe formimi profesional po ndërmarrim një tjetër reformë të rëndësishme, e cila synon të aftësojë qytetarët shqiptarë në mënyrë që ata të rrisin mundësitë e tyre për punësim. Vitet e kaluara, sistemi ynë arsimor ka prodhuar studentë me
diploma
, por jo studentë me aftësi të nevojshme për të gjetur një punë. Prandaj, me këtë strategji synojmë të ngushtojmë hendekun midis kërkesës së tregut të punës dhe aftësive që u ofrojmë të rinjve tanë”, u shpreh Ministri Veliaj në konferencën e ILO-s, duke shtuar se efektet e para të strategjisë janë ndjerë me hapjen e zyrave të reja të punës.
Nga ana tjetër, Veliaj përmendi vendosmërinë për të forcuar skemat e mbrojtjes sociale dhe reformën e pensioneve. Sipas tij, skema aktuale e pensioneve vuan nga shumë probleme dhe financiarisht është e paqendrueshme, duke sjellë përfitime të uleta dhe informalitet të lartë, cka në të ardhmen të moshuarit rrezikojnë të mbeten pa pensione. “Reforma që kemi nisur synon të rregullojë të gjitha këto probleme, së pari për të sjellë më shumë përfitime për të moshuarit e nesërm, uljen e informalitetit dhe rritjen e kontributeve”, tha ai.
Veliaj theksoi se gjatë këtyre muajve dialogu midis Qeverisë dhe punëdhënësve ka arritur në nivele shumë të mira, duke qenë së janë vetë kompanitë private ato që po financojnë modernizimin e zyrave të punës. Ai shtoi se Qeveria është e vendosur të ecë drejt një modeli ekonomik miqësor ndaj punësimit dhe forcimit të sistemit të mbrojtjes sociale
Më shume se 500 delegate ndoqën punimet e konferencës se Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Gjenevë, ku përfaqesues të qeverive dhe sindikatave të shumë vendeve të botës diskutuan mbi cështjet e punësimit dhe emigracionit.
Add new comment