Shqipëria në prag të marrjes së statusit, Fyle: Mbështesim vendet aspirante. Politika jonë është e besueshme

Një ditë para publikimit të Raporteve të Progresit, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, ka qenë i prerë në
në pritshmëritë që ka Bashkimi Europian (BE) për procesin integrues të vendeve që aspirojnë këtë union. Nëpërmjet një deklarate, Fule ka sqaruar katër pikat ku përqendrohet Strategjia e Zgjerimit e këtij viti.
“Së pari do të bëhet fjalë për Kroacinë dhe për Kroacinë që është bërë vendi i 28-të anëtar, do të bëhet fjalë për pushtetin transformues të zgjerimit, nuk është se e morëm kot Çmimin Nobel të Paqes.
Së dyti: do të bëhet fjalë për faktin që zgjerimi vazhdon me gjithë krizën financiare, por vazhdon jo se është me autopilot, por është se është një politikë e besueshme.
Elementi i tretë do të jetë motori i ri i raporteve të progresit të këtij viti; në fillim gjërat thelbësore. Çfarë është thelbësore? Shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, por edhe çështjet ekonomike, konkurueshmëria. Ne duam që vendet kandidate t’i bashkohen BE-së edhe në termat ekonomikë.
Dhe pika e fundit do të jetë një çështje e nënvizuar edhe vitin e shkuar, Komisioni Europian mbetet miku dhe mbështetësi më i mirë i vendeve kandidate dhe atyre aspirante, në rrugën e tyre për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratën e Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle.
Pritet që Komisioni Europian të rekomandojë për Shqipërinë dhënien pa kusht të statusit kandidat, ndërsa për Kosovën dritën jeshile të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Negociatat pritet të fillojnë brenda këtij muaji dhe të përmbyllen në fund të verës së vitit 2014. Por nëse Shqipëria ka tre vjet që e pret këtë pozicion në procesin integrues në BE, për Kosovën do të jetë ndryshe marrëveshja e stabilizim-asoocimit, pasi për herë të parë KE nuk do të kërkojë ratifikim nga parlamentet e shteteve anëtare të BE.
Serbia nga ana tjetër, do të marrë rekomandimin për fillimin e bisedimeve dhe pritet që në dhjetor, Këshilli i Ministrave të BE-së, të vendosë që bisedimet me Serbinë të nisin në janar të vitit të ardhshëm.
Për sa i përket Bosnjës, Komisioni do të kërkojë kompromis politik dhe qasje serioze në përmbushjen e disa kritereve; siç janë zgjidhja e çështjes së diskriminimit të minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor, si dhe krijimi i një mekanizëm të vetëm për të koordinuar marrëdhëniet me BE-në.
15 tetor 2013 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment