Shqipëria heq simbolet kombëtare nga Abetarja

Abetares në gjuhën shqipe, që iu dhurua nxënësve të Luginës së Preshevës nga qeveria shqiptare, me rastin e vitit të ri shkollor, i janë hequr simbolet kombëtare dhe ato shtetërore. Në një faks, të cilin e ka siguruar dje "Gazeta Shqiptare", Ambasadori i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, rezulton të ketë dhënë pëlqimin e tij për këtë akt. Në një letër zyrtare të shkruar në serbisht dhe që i drejtohet Ministrit të Arsimit e Shkencës së Serbisë, Zarko Obradoviç, Çaushi shkruan mes të tjerash se "në lidhje me letrën tuaj kemi nderin t'ju njoftojmë që organet përgjegjëse shqiptare janë dakord me sugjerimet e shprehura në letrën tuaj dhe që Abetarja dhe Fletorja e Punës të riprodhuara, të mënjanojnë simbolet kombëtare dhe shtetërore". Ky faks iu është dërguar për dijeni edhe Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Vetadministrimin Lokal, Milan Markoviç, Ambasadorit të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kypreos si edhe kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Galip Beqiri.
SIMBOLET KOMBËTARE
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës iu është mohuar e drejta që flamuri kombëtar të figurojë, madje, edhe në brendi të Abetares së shkollarëve të klasës së parë. Qeveria serbe ka kërkuar që ky libër të hiqet nga përdorimi, pikërisht për shkak se në faqen ku mësohet shkronja F, figuron flamuri kombëtar shqiptar. Dhe kjo është pranuar nga Tirana zyrtare. Qeveria e Shqipërisë në datën 14 shtator nga dërguar si "dhuratë" në Luginën e Preshevës një mijë copë Abetare, të punuara me "standardet" e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pra duke hequr flamurin dhe simbolet tjera kombëtare nga brendia e saj. Paraprakisht, kësaj i ka prirë një dakordim nga vetë Ambasada e Shqipërisë në Beograd. Ambasadori, Shpëtim Çaushi, me një letër drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Serbisë, kishte përcjellë pëlqimin për ta ndërruar, respektivisht për ta shkombëtarizuar Abetaren për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës. Veç flamurit, nga Abetarja që iu dedikohet nxënësve shqiptarë të Luginës së Preshevës, Shkodra është zëvendësuar me Nishin dhe shumë toponime e emërtime shqiptare, janë zëvendësuar me ato serbe. Konkretisht nxënësit shqiptarë të Preshevës, kur të mësojnë shkronjën SH, do të mësojnë se "qyteti i NISHIT është qytet i bukur", ku në origjinal është "SHKODRA është qytet i bukur". Për të gjitha këto, ka qenë dakordimi dhe pëlqimi paraprak skandaloz i shtetit dhe i diplomacisë së Shqipërisë.
15 SHTATOR
Në datën 15 shtator, një ditë pas protestës mbarëpopullore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kundër diskriminimit në arsim, në Bujanoc, u bë inaugurimi i Abetares dhe fletores së punës për nxënësit e klasave të para të shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe në këtë rajon. I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të 1000 copë abetareve, dhuratë e qeverisë shqiptare, ambasadori, Shpëtim Çaushi deklaroi mes të tjerash se "Abetarja që ka ardhur nga Shqipëria është një dhuratë modeste për fëmijët e Luginës së Preshevës dhe se i përket gjuhës që do të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar".
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Add new comment