Shpërndarja e reklamës shtetërore

Postuar në 23 Nëntor, 2012 03:28

Bashkimi Europian i është përgjigjur shqetësimit të ngritur nga Top Channel në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së reklamave shtetërore. Në një letër në emër të Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, nënvizon fillimisht rëndësinë e lirisë së medias si element kyç i fushës së sundimit të ligjit.
“Liria e medias është një shtyllë themelore për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike dhe një element thelbësor i kriterit politik të Kopenhagen për anëtarësimin në BE, që duhet përmbushur nga secili  vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Si e tillë, ajo është dhe një prej sfidave kryesore në kuadër të sundimit të ligjit në strategjinë e fundit të Zgjerimit të Komisionit Europian. Prandaj, Komisioni Europian po monitoron nga afër zhvillimet në këtë fushë dhe ka zhvilluar një dialog me autoritetet shqiptare me qëllim mbështetjen e përpjekjeve të tyre për të arritur standardet europiane në këtë fushë. Në Paketën e Zgjerimit 2012, Komisioni nënvizon rëndësinë e garantimit që të gjitha mediat , pavarësisht orientimit apo preferencave të tyre politike, të gëzojnë pavarësi editoriale, liri veprimi, dhe mungesë presionesh të papërshtatshme ekonomike. Është thelbësore të garantohet respektimi i sundimit të ligjit dhe se legjislacioni aktual për reklamat publike zbatohet siç duhet”, thuhet në letër.
Shqetësimi i BE-së për çështjen e reklamave shtetërore është përfshirë edhe në raport-progresin e fundit, në kapitullin e lirisë së shprehjes.
“Pavarësia editoriale vazhdon të pengohet nga interesat politike dhe ekonomike. Ka shqetësime se reklamat publike i shkojnë kanaleve televizive që mbështesin qeverinë”, thuhet në raport-progres.
Në letrën e BE-së shpjegohet se në muajin janar, gjatë një seminari të posaçëm për lirinë e medias, pritet të debatohet si për problemet ashtu dhe për zgjidhjet në këtë fushë.
“Ky seminar do t’i japë mundësinë të gjitha institucioneve të përfshira nga liria e medias në Shqipëri, aktorëve madhorë ndërkombëtarë në këtë fushë dhe komunitetit të mediave shqiptare që të prezantojnë analizën e tyre për çështjet ngulmuese si dhe pikëpamjet e tyre për rrugën që duhet ndjekur. Seminari do të adresojë disa çështje të nënvizuara në Opinionin e Komisionit Europian dhe në raport-progresin e fundit si shpifja, transparenca dhe hapja e tregut, përfshirë reklamat publike dhe pavarësinë e transmetuesit publik”, shtohet në letrën e BE-së.
Në përfundim, Bashkimi Europian garanton ndjekjen nga afër të situatës me vëmendjen më të lartë, nëpërmjet Delegacionit të BE-së në Shqipëri si dhe përmes dialogut të rregullt me autoritetet shqiptare.

Përgatiti: Arta Tozaj, Top-channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.