SHKB prangos policin e doganës së Durrësit për korrupsion pasiv.

Postuar në 22 Prill, 2014 05:00

Nga strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan, është arrestuar në flagrancë punonjësi i policisë, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, K/Inspektor Artan Telha, 42 vjeç, lindur në fshatin Iballë të rrethit Pukë dhe banues në Durrës.

Arrestimi i tij në flagrancë është bërë për kryerjen e elementëve të veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i KP, pasi më datë 21.04.2014 ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, së bashku me shtetasin A.Sh., kundrejt shpërblimit në të holla.

Gjithashtu është bërë arrestimi i shtetasit Klodjan Halit Novaku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprën penale të “Trafikut të të rriturve” e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, të parashikuara nga nenet 110/a e 278 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi është sekuestruar një armë pistoletë e tipit Zastava, një shumë të hollash prej 670 Euro, një telefon i markës Nokia, pasaportë dhe kartë identiteti dhe 2 bileta udhëtimi në emër të Klodjan Novaku dhe Adile Shabani, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të shtetasit R.Sh., i ati i shtetases A.Sh., i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga shtetasi Klodjan Novaku. Strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan dhe Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, pas kryerjes së të gjitha veprimeve proceduriale, organizuan operacionin “Ndalimi”, duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Klodjan Novaku dhe punonjësit të policisë Artan Telha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.